Ditën e sotme Gjykata Themelore e Prishtinës kërkoi shoqërimin nga struktuara të policisë të motrave Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili si dëshmitare në seancën e rradhës ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.
Ky vendim i gjykatës, u përhap me shpejtësi të madhe në media. Teksa pritej një sqarim nga ana e personave të përfshirë, ka reaguar menjëherë këngëtarja Adelina Ismaili në Instagram.
Në deklaratën e saj ajo shprehet se kjo nuk është e vërtetë dhe se për 15-vite rrjesht kanë bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës për zgjidhjen e rastit.
“Të dashur miq dhe fansa. Asnjë polici nuk është në kërkim timin as të motrave të mia. Ne nuk jemi kriminele dhe nuk kemi raste në polici. Jemi dëshmitare të një rasti dramatik që ka ndodhur para 15 vitesh dhe kemi bashkëpunuar me të gjithë institucionet e Republikës së Kosovës për zbardhjen e rastit. Më shumë se 10 vite dëshmi në gjyqe sa herë është kërkuar nga ne duke rrezikuar jetët tona nga banda kriminale që na kanë kërcënuar pa ndalur dhe vazhdojnë. Mos të flasim për dëmtim të imazhit dhe të gjithë reperkusionet negative që ka pasur në jetët tona profesionale.Ky rast përsëritet çdo 3 vjet tani dhe nuk meret një vendim final.
Në letrat adresuar gjykatësit jemi shprehur shumë konkretisht që ne i mbesim mbrapa deklaratave tona dhënë prokurorit të Eulexit, vitet 2016-2017, z.Carney dhe nuk dëshirojmë të thirremi sa herë që i pandehuri bën apel.Këto janë absolutisht dakord me ligjet e Republikës së Kosovës dhe është e drejta jonë sipas avokatit tonë.
Ne mund dhe të paraqitemi në gjykatë për tu thënë të njëjtat fjalë sikurse është e shkruar në letrat tona, por nuk jemi të interesuar për show mediatik lidhur me këtë rast. Show i cili u përket strukturave kriminale në Kosovë apo shërbyesve të tyre që siç duket duan ta mbyllin këtë rast me një epilog ndryshe nga vendimi i gjykatës. E falenderojmë Policinë e Kosovës që cdo herë kanë treguar korrektësi, kurse e nderuara gjykatë. Ne vërtetë udhëtojmë shumë, dëshmitë tona i keni në tavolinat tuaja,”-është shprehur Adelina.