Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku janë një ndër çiftet më të dashur për publikun. E ndonëse kanë rreth pesë vite të martuar, ata e njohin njëri-tjetrin që kur ishin adoleshentë dhe sot janë prindër të një vajze, Ajkën.
Këngëtarja ka folur rreth marrëdhënies së saj me aktorin e humorit dhe nuk i ka kursyer fjalët e ëmbla për partnerin e saj. Ajo tregoi se Besi i është gjendur në momentin e saj më të vështirë në jetë dhe e ka ndihmuar. Sipas saj, ky ishte momenti kur e kuptoi që aktori ishte njeriu që i duhej në jetë.
Përsa i përket ‘krizave’ në marrëdhënie, këngëtarja nuk ngurroi të tregonte se dhe mes tyre ka pasur situata të tilla por ia kanë dalur gjithmonë ta gjejnë rrugëdaljen për t’i kapërcyer vështirësitë dhe të jenë pranë njëri-tjetrit.
“Zemërgjerësia e Besit më ka përfshirë edhe mua. Besi ka një shpirt shumë të bukur. Nëse ka një gjë që e reflekton deri te drita e syrit, është zemra e tij e pastër, e bardhë, dëshira për të ndihmuar të tjerët. Ka një dëshirë për të ndihmuar, ai ‘bëhet copash’ për njerëzit. Unë jam rritur me Besin edhe kemi marrë shumë nga njëri-tjetri.
Ai momenti që unë vërtet e kam kuptuar se çfarë vërtet i duheshe jetës sime, ishte ai momenti kur unë kisha më shumë nevojë. Periudhën që unë jam njohur me Besin, mami im pati një komplikacion kardiak, dhe rrezikonte shumë. Besi m’u gjend pranë financiarisht, si vëlla asokohe, madje dhe gjak dha për mamin tim. Aty vërtet kuptova se pjesën tjetër të jetës sime duhet ta kisha me këtë njeriun në krah.
Duke qenë se unë jam shumë romantike, ai mundohet të jetë, por gjithmonë i rrëshkasin situatat. Kështu ndodhi edhe me propozimin e martesës. Ne ishim në Meksikë, ai kishte organizuar gjithçka buzë oqeanit. Pikërisht një natë më përpara unë pashë këtë skenën me një çift tjetër. Ai më tha po pse do ndodhë kjo situata dhe unë e kuptova që do ndodhte diçka të nesërmen. Iku surpriza… Besi tentoi të më propozonte sërish.
Kemi kaluar periudha të vështira. Çdokush i kalon. Kemi patur edhe kriza në marrëdhënie, ajo që na ka mbajtur shumë fort me njëri-tjetrin ka qenë besimi që kemi pasur në Zot që na ka bashkuar edhe në besimin tonë në dashuri. E kemi gjetur gjithmonë atë rrugëdaljen për të kapërcyer çdo moment të vështirë, dhe për të qenë prap sërish me njëri-tjetrin”- rrëfeu Xhensila për “A Live Night”.