Adrola Dushi është vlerësuar me ‘Stemën e Artë të Bashkisë Mirditë’ duke u bërë gruaja e parë që merr këtë titull. “Për kontributin e vyer në fushën e rëndësishme të modelingut shqiptar duke i dhënë emër Shqipërisë në mbarë botën, si për bukurinë dhe për dinjitetin femëror. Që në fëmijërinë e saj, ajo ka spikatur në kontributet për kulturën e Mirditën dhe kudo ka marrë pjesë në eventet kombëtare apo ndërkombëtare si përfaqësuese e Shqipërisë, ku pjesë e rëndësishme e promocionit ka qenë dhe vendlindja, Mirdita.”-thuhet në dekoratë.
Lajmin e ka bërë me dije vetë modelja përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë disa fotografi nga momenti që ka marrë dekoratën. Modelja shkruan se ky ishte një vlerësim i papritur por gjithashtu dhe një përgjegjësi për të.
“Nuk gjej fjalë për të shprehur sa e përulur dhe e emocionuar ndihem. Është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm që sot Mirdita ime më dhuron Stemën e Artë të Bashkisë Mirditë! Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time të thellë për Kryetarin e Bashkisë Mirditë Z. Ndrec Dedaj që sot më nderon duke me renditur si gruan e parë mirditore që i jepet kjo stemë e artë me simbolet mirditore si dhe Gratë e Unionit Mirdita që propozuan emrin tim për këtë dekorim.
Ky dekorim vjen si një vlerësim i papritur dhe shumë i bukur për mua, por vjen dhe si një përgjegjësi për vendlindjen time. Me apo pa këtë dekoratë, angazhimi im për promovimin dhe nderimin kudo të vendlindjes time do jetë i pasosur. Faleminderit Mirdita ime. Zoti të bekoftë. Të dua“, shkruan modelja.