Dua Lipa ka bërë të ditur se Fondacioni “Sunny Hill” tashmë është bashkuar me Akademinë e kantautorëve në Suedi, Musikmakarna.
Në një postim në rrjetet sociale , Dua Lipa shkruan se qëllimi i këtij bashkëpunimi ka të bëjë me krijimin e një programi të ri për kantautorët e rinj të talentuar në Kosovë
“Fondacioni SunnyHill është bashkuar me Musikmakarna, akademinë e kantautorëve në Suedi për të krijuar një program të ri për kantautorët e rinj të talentuar në Kosovë. Shkova në studio sot (e diel) për të parë se çfarë kanë bërë ata dhe u mahnita plotësisht nga talenti dhe produktiviteti i seancave brenda vetëm disa ditësh nga fillimi. U ndjeva vërtet e frymëzuar dhe jam shumë e emocionuar që ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të parë këtë program të rritet në diçka vërtet të bukur”, shkruan Dua Lipa në një postim në Instagram.
Gjatë konferencës për shtyp që mbajti së bashku me të atin dhe kryetarin e komunës së Prishtinës u nënshkrua edhe kontrata për ndërtimin e Sunny Hill Foundation.
“Sunny Hill Foundation është duke krijuar një qendër të muzikës dhe artit në rajon në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës”, thuhet në webfaqen e Sunny Hill Foundation.
Dua Lipa gjatë konferencës për shtyp tha gjithashtu se shpreson që të bëhet sa më parë liberalizmi i vizave për Kosovën dhe të rinjtë të kenë sa më shumë mundësi të depërtojnë në Evropë.
“Mendoj që kemi shumë mundësi që mund të zgjerohemi në botë, shpresoj që të kemi liberalizimi të vizave dhe të depërtojmë në Evropë dhe me promovimin e festivalit të sjellim këtë energji pozitive dhe historinë e bukur të vendit tonë dhe të kemi mundësinë ta bëjmë këtë sa më shpejt”, u shpreh Dua.