Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka fituar çmimin “Emmy” si rrëfyesi më i mirë për serinë e dokumentareve “Parqet tona të mëdha kombëtare”, një prodhim që u shfaq në “Netflix”. Është kompania e produksionit të Obama, “Higher Ground”, e cila ka realizuar serinë e dokumentareve.
Përveç çmimit “Emmy”, Obama ka marrë më herët edhe dy çmime “Grammy”, duke e sjell atë një hap më pranë për t’u bërë një Egot, status ky që merret kur dikush ka një çmim Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.

Vetëm 17 persona kanë fituar statusin Egot deri më sot, duke përfshirë këtu Mel Brooks, Audrey Hepburn dhe Jenifer Hudson. Obama bëhet kështu presidenti i dytë amerikan në histori që fiton një Emmy, pas Dwight Eisenhower.



