Ish-kryeministri Fatos Nano ka festuar ditën e djeshme 70-vjetorin e tij të lindjes. Ndonëse fillimisht u duk sikur kjo ditë do të kalohej në heshtje nga ish-lideri i PS, duket se festa për të është zhvilluar në darkë.
Familja Nano dhe miqtë e ngushtë kanë zgjedhur një restorant në periferi të Tiranës për të festuar ditën e lindjes së ish-kryeministrit. Mes miqve dhe të afërme të familjes, ka qenë edhe kryebashkiaku i Kavajës, i cili ka publikuar edhe pamjet e festës. Në rrjetet e tij sociale, Redjan Krali, nuk i ka kursyer fjalët e mirë për Fatos Nanon. “Mentori im!

Të qofshin të shumta vitet dhe i gëzofsh me zemrën plot! Ky rrugëtim i imi nuk do të kishte qenë i njejti pa mbështetjen, bekimin dhe këshillat e tua! Kam mbledhur çdo urtësi tënden që ma ke dhuruar me shumë bujari në çdo takim a bisedë të gjatë që shkëmbejmë bashkë dhe i ruaj si pasurinë më të vyer! Shëndet e jetë të gjatë”, shkruan Krali. Ashtu si shihet festa ka patur më shumë se 20 persona dhe të gjithë i përkasin rrethin të ngushtë të familjes. Që pas largimit të tij nga politika, daljet publike të Nanos kanë qenë të rralla. Do të duhej kjo festë e 70-të vjetorit për të zbuluar imazhet e reja të tij, por edhe të bashkëshortes së tij, Xhoana Nano.




