Cindy Marina dhe djali i Jozefina Topallit, Genard Topalli kanë qenë një nga çiftet më të përfolura të showbizit shqiptar që kur konfirmuan lidhjen e tyre në fillim të vitit. Por, pjesa rreth të cilës ka më shumë kuriozitet është marrëdhënia e moderatores me ish-kryeparlamentaren.
Cindy ishte e ftuar në emisionin “Rudina” ku foli gjerë e gjatë rreth marrëdhënies së saj. Ajo ka treguar se lidhja e tyre po shkon shumë mirë dhe se Genari është shumë mbështetës.

Ndërkohë sa i përket marrëdhënies me ish-kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli ajo tha se e ka njohur para se të kishte lidhje me Genarin, pasi kishin patur njohje të hershme familjare. Edhe pse ende nuk e quan vjehërr, Cindy tregon se marrëdhënien me mamanë e partnerit të saj e ka shumë të mirë e madje ndihet me fat që e ka njohur.
“Në fakt e kam takuar shumë më parë se të takoja Genarin. Jemi njohur familjarisht më parë, kështu që kur unë u lidha me Genarin nuk kisha ndonjë siklet ta takoja. Ajo është njeri i mrekullueshëm. Vërtet jam me fat që e njoh”.
Po nëse e mendon në një raport më të afërt nuse – vjehërr, si e shikon veten përballë saj? Për këtë Cindy Marina thotë: “Unë akoma jam shumë e re. Nuk kam menduar për këto lloj gjërash, por siç thashë, ajo është e mrekullueshme, nuk mendoj se mund të ndryshojë njeriu. Ajo gjithmonë ka qëndruar njëlloj, siç është, e qeshur dhe shumë e dashur”.
Bukuroshja ka zbuluar se kanë një vit që janë të dashuruar, por kanë preferuar që marrëdhënien e tyre ta mbajnë larg mediave.




