Ilir Shaqiri dhe Sabiani krijuan një shoqëri të ngushtë gjatë qëndrimit brenda shtëpisë së BBV.
Por gjërat nuk shkuan aq mirë pas daljes, pasi për një kohë të shkurtër ata prishën raportet dhe nuk janë parë së bashku që prej asaj kohe.
Krisja mes tyre u konfirmua me mungesën e Sabianit në dasmën e Ilirit por duket se kohët e fundit gjërat janë përmirësuar.
Kjo u kuptua kur Iliri publikoi një video teksa kërcen me vajzën e tij Emily, në festën e saj të datëlindjes dhe Sabiani i komentoi: “Shumë urime princeshës tënde, Zoti ta bekoftë”.

Megjithatë përgjigja ‘e vakët’ e Ilirit la shkas për dyshime nëse ata janë pajtuar.
Burime për Panorama plus bëjnë të ditur se tashmë djemtë kanë folur, duke lënë pas ndodhinë që i distancoi. Ndonëse u raportua se dy personazhet u zunë pikërisht për çmimin e madh prej 100 mijë eurosh që Iliri fitoi, e vërteta ishte ndryshe.
Sherri mes tyre nisi pikërisht kur Sabiani e ftoi Ilirin në klipin e tij dhe ky i fundit e refuzoi. E gjitha kjo u zbulua, kur këngëtari ishte i ftuar te vëllezërit Veshaj dhe u shpreh se më së shumti ishte vëllai i tij që kishte përfituar prej tij brenda “Big Brother”.
Më tej, ai u shpreh se deklarata e tij është keqkuptuar, pasi sqaroi se ata kanë përfituar nga njëri-tjetri dhe jo vetëm balerini.
“E keni marrë në kontekstin e gabuar këtë gjë, kemi përfituar nga njëri tjetri dhe realisht kemi qenë të dy së bashku aty dhe luftonim për njëri-tjetrin”, u shpreh Sabiani, teksa ishte i ftuar në “E Diell”. Rikujtojmë se pas deklaratës së këngëtarit, reagoi edhe fituesi. “Mendoj që ne të dy i kemi dhënë shumë njëritjetrit, si brenda, edhe jashtë shtëpisë. Kur dikush bën për mua, di t’ia vlerësoj dhe ta rikëmbej pa ma kërkuar askush. Rëndësi ka kur miqtë dinë çfarë bëjnë dhe flasin në situata të ndryshme, për më tepër kur jemi në qendër të vëmendjes dhe para syve të publikut. Gjithsesi, mendoj që Sabiani është njëri nga ata që, nëse më ka qëndruar më afër një herë, i kam treguar që di ta vlerësoj dhjetë herë, si me fjalë, ashtu dhe me vepra. Pastaj, fjalët e tepërta janë fukarallëk dhe komentet e lagjes tek unë s’kanë asnjë efekt”, u shpreh ai.



