Edhe pse nuk ishte në karrigen e opinionistes këtë vit në “Big Brother VIP”, Balina Bodinaku ja doli të ishte sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë me mendimet dhe deklaratat që jepte kryesisht në rrjetet sociale për reality show-n. Ndërkohë së fundmi ajo u përfshi edhe në një debat virtual me Arbana Osmanin, e cila në Post Big Brother-in e parë, të shtunën e kaluar, ju drejtua opinionistëve të këtij edicioni me fjalët: “Ju do e kishit më të lehtë të bëheshit fansa…Vitin e kaluar kemi patur opinioniste që janë bërë fansa”, duke nënkuptuar se Balina ishte fanse e Donaldit, ashtu sic është aluduar disa herë në fakt nga ish-banorë, banorë dhe protagonistë të programit.
Një reagim të parë Balina e bëri në Instagram-in e saj, megjithatë sot e ftuar në “Pardon My French” në Top Albania Radio, me Jonida Alickollin dhe Lei Krajën, Balina ka folur pikërisht për këtë deklaratë të Arbanës, duke folur edhe për afeksionin ndaj disa banorëve në reality show dhe marrëdhëniet që mund të ndërtohen me ta.
“Kanë qenë dy reagime, nuk e kam parë vetë live por kontaktin e parë e pata me furinë e mesazheve në Instagram që më erdhën. Nuk është e bukur dhe nuk është korrekte të diskutosh dhe të flasësh në kontekst negativ për një person që nuk ndodhet aty. Për më tepër jashtë kontekstit sepse je me personazhe të tjerë dhe në kohë tjetër. Megjithatë kur e pashë më ftohtë më mbrapa mendova që ka një gjë që nuk shkon dhe e gjykova si një shkarje e situatës nga ana e Arbanës duke qenë se herën e fundit që kisha folur me të ishte për të më ftuar pikërisht si një opinioniste në BBV.
A afeksionohesh? Afeksionohesh me të gjithë praktikisht. Mua edhe tani më merr malli për personazhet e BBV1. Për sa kohë është opinioni im, nuk ekziston objetiviteti. Kur ti mban një opinion realisht nuk ndahesh dot nga ajo që ti je nga parimet, nga vlerat, nga ato që ti beson nga mënyra se si e sheh botën, nga ndjeshmëria jote, nga qasja që ke për fenomenet e ndryshme kështu që nuk e filtron dot opinionin tënd nga ajo që ti je. Në këtë kuptim opinioni i gjithkujt është subjektiv nuk ka një opinion objektiv dhe të gjithë shprehin atë që janë. Unë nuk e kuptoj fjalën fanse në këtë rast. Nuk ka sens.:- tha Bodinaku, duke i mëshuar sërish faktit se nuk e kupton fjalë “fanse” të përdorur dhe pse moderatorja e programit ka zgjedhur ta thotë.



