Mbrëmjen e djeshme (e enjte) në oborrin e një diskoteke në Gjilan u raportua për të shtëna me armë zjarri.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Gjilan, Ismet Hashani, teksa bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:50.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 28.07.2023 rreth orës 1:50 ka pranuar informacion se në oborrin e një diskoteke në qytetin e Gjilanit ka të shtëna me armë zjarri”, thotë Hashani.

“Njësitet policore relevante i janë përgjigjur rastit. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore e cila ishte e pa shpërthyer. I dyshuari është larguar nga vendi ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka thënë më tej Hashani.
Të pranishmit në diskotekë janë evakuuar në mënyrë të sigurtë si dhe është menaxhuar mjeti i pa shpërthyer.
“Të gjithë personat të cilët kanë qenë brenda kësaj diskoteke në mënyrë të sigurt janë evakuuar. Nga ana e zyrtarëve policorë është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes ndërsa mjeti i pa shpërthyer është menaxhuar dhe është asgjësuar pa asnjë pasojë nga njëri për deminim i Policisë së Kosovës’, thuhet tutje.
“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit me urdhër të së cilit është regjistruar rasti ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa rrethanat janë duke u hetuar nga hetues policor rajonal”, vazhdon deklarata.
Kjo ka ndodhur në momentin kur në klub po performonte reperi nga Ferizaj, Mozzik.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, reperi dëgjohet duke thënë:
Jukërkoj falje. Faleminderit që keni ardhë sonte por duhem me lëshu kllabin se paska ndodh diçka. Shihemi Gjilan ju dua shumë.
Dikush nga stafi shton pastaj se nuk ka ndodhur asgjë por duhet ‘lëshuar klubi për çështje sigurie’ teksa ka bërë të ditur se ndejat vazhdojnë nesër me të tjerë artistë.



