Kantautori i mirënjohur, Pirro Çako, ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Wake Up” për të folur për projektin e tij më të ri, “Triptik”.
“Shpirt” është kënga që riktheu Çakon pas 4 vitesh mungesë në tregun muzikor. Ai u shpreh se në fakt ka patur 5 këngë gati, por vendosi që të publikojë 3 prej tyre pasi personifikojnë atë në këtë moment të jetës së tij.
Ndërkohë duke folur për “Shpirt”, kantautori u shpreh se është një baladë për dashurinë, ku çdo njeri do gjej veten në çdo kohë.
“Të flas pak për “Triptik”. Unë u nisa për të bërë 5 këngë, e këngët janë të pesta në fakt. Mirëpo dy këngë nga këto nuk e përmblidhnin dot atë gjënë që unë kisha në kokën time, që më personifikonte në këtë moment të jetës sime. Vetëm tre ishin që lidheshin bashkë. Domethënë një “Triptik” mund të jenë edhe që lidhen, por mund të jenë edhe veç e veç. Unë them se qëndroja të tria dhe prandaj i eliminova dy këngë.
Kënga “Shpirt”, u nisa nga perceptimi që kanë njerëzit, kur ne dashurojmë apo ndahemi, të gjithë kemi të njëjtën ndjesi. Pra kjo ka lindur dhe do të vdesë me njeriun, nuk mund të ndryshojë. Muzika do të ndryshojë, rrymat do vijnë të ndryshme, kaq të ndryshme sa ky gjeneracion sot pas 50 vitesh nuk do ta kuptojë fare se ça muzike është bërë sot. Por ky lloj stili dhe kjo lloj mënyre e të thënit nuk do të ndryshojë asnjëherë, sepse emocioni i dashurisë ka lindur me njeriun dhe të gjithë ne e provojmë njësoj.
U nisa të bëj një këngë “Shpirt”, një baladë jo komerciale, por që e ka komercin brenda sepse çdo njeri do ta gjejë veten te kjo këngë në kohë, të dashurojë i ri apo i vjetër, mbas 100 vitesh. Prandaj u nisa të bëj një këngë “Shpirt”, për të treguar që dashuria do të mbetet gjithmonë e njëjtë, shija e saj do të jetë gjithmonë e njëjtë, në çdo kohë.
Kënga e dytë titullohet “Tjetër njeri” që flet për jetën time pasi unë u ribëra baba. Teksti i këngës flet i gjithi për këtë përjetimi dhe realiteti që unë kam kaluar vitet e fundit.
Kënga e tretë, “Radio në qiell” flet për gjithë atë rrugëtimin tim si artist, që kur babai më mësonte pianon dhe insistonte që unë të merresha me muzikë e derisa unë imagjinoj një ditë nuk do të jem më dhe i ftoj njerëzit që përmes radios sime të më dëgjojnë”, tha Pirro Çako.



