Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, kanë treguar publikisht mbështetjen e tyre për Princeshën e Uellsit, Kate Middleton, mes betejës së saj me kancerin.
“Ne dëshirojmë shëndet dhe shërim për Kate dhe familjen dhe shpresojmë që ata të jenë në gjendje t’a bëjnë këtë privatisht dhe në paqe”, u shprehën Harry dhe Meghan në një deklaratë për “Us Weekly”.
Ndërkohë një ditë më parë, Kate Middleton vendosi që të fliste publikisht për gjendjen e saj shëndetësore. Nëna e tre fëmijëve konfirmoi diagnozën e saj, dy muaj pasi u shtrua në spital për një operacion.
“Në janar, unë iu nënshtrova një operacioni të madh abdominal në Londër dhe në atë kohë, mendohej se gjendja ime ishte jo kanceroze”, tha ajo në një video të postuar në rrjetet sociale, duke shtuar: “Megjithatë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm”.
Disa burime thanë për “Us Weekly” se Kate mori diagnozën e saj muajin e kaluar, në të njëjtën ditë kur Princi William anuloi paraqitjen e tij të planifikuar në një shërbim përkujtimor për kumbarin e tij, Mbretin Konstantin të Greqisë.
“Ata kanë përpunuar informacionin,” shtoi burimi i brendshëm.



