Pak ditë më parë artisti i mirënjohur, Agron Llakaj, humbi bashkëshorten e tij. Kostandina humbi betejën me një sëmundje të rëndë, me të cilën po ‘luftonte’ prej dy vitesh.
Ditën e sotme, Llakaj ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku shprehet falënderues e mirënjohës ndaj secilit që i ka bërë një mesazh ngushëllues.
Aktori i dashur për publikun ka publikuar një video në “Instagram” ku shprehet se ‘prej dy vitesh, Kostandina tregoi se ishte jo thjesht trau dhe shtylla e shtëpisë, por ishte edhe njeriu me karakterin më të fortë”.
Llakaj shton se ishte pikërisht ajo që i dha mundësinë që të ushtronte profesionin e tij.
“Në dy vite, në këtë tragjedi njerëzore, dhimbjeje, në këtë betejë me një sëmundje të pamëshirshme, ishte ajo me karakterin e saj, me vullnetin e saj, më dha mundësinë që unë të ushtroja profesionin tim. Të bësh humor me thikë në zemër është e vështirë, motiv ishte Kostandina”, shprehet Llakaj.
Reagimi i plotë i Agron Llakajt:
Të dashur miq, në pamundësi për t’ju kthyer përgjigje të gjitha mesazheve të drejtuara drejt meje dhe familjes time, në rastin e humbjes së jetës të njeriut tonë të shtrenjtë, Kostandinës tonë dhe Kostandinës time, unë po ju drejtohem me këtë videomesazh duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për çdo fjalë zemre drejtuar drejt nesh nga ju. Sepse dihet mirë që edhe gëzimet, edhe hidhërimet ndahen me njerëz, me miq, po të njohur e të panjohur.
Moria e njerëzve në përcjelljen e lamtumirës së Kostandinës, por edhe në ditët e pritjes që familja jonë organizoi, gjithë kjo dashuri e madhe njerëzore në një mënyrë na bëri që për momentin t’a kalonim disi më lehtë. Mali i dhimbjes që Kostandina la mbrapa nuk ka fjalë që mund t’a shprehë, sepse pesha është shumë e madhe. Pikërisht për shkak të kësaj dhimbje ne po pranojmë vuajtjen. E pranojmë.
I kam lexuar e stërlexuar shumë nga mesazhet tuaja për të ruajtur kujtimin e saj, por ne nuk do të ruajmë kujtimin e Kostandinës sepse ajo është në çdo frymëmarrje tonën, timen, të fëmijëve të mi, të mbesës sime, të nipërve të mi dhe të gjithë njerëzve të dashur. Jetën nuk e zgjedhim, e tillë është. Në dy vite Kostandina tregoi se jo thjesht ishte trau dhe shtylla e shtëpisë, por ishte edhe njeriu me karakterin më të fortë.
Në dy vite, në këtë tragjedi njerëzore, dhimbjeje, në këtë betejë me një sëmundje të pamëshirshme, ishte ajo me karakterin e saj, me vullnetin e saj, më dha mundësinë që unë të ushtroja profesionin tim. Të bësh humor me thikë në zemër është e vështirë, motiv ishte Kostandina. Dhe pas gjithë kësaj beteje ne e pranuam humbjen. Sëmundja doli më e fortë. Ajo çka Kostandina la mbrapa, unë shpresoj që fëmijët e mi t’a trashëgojnë. Dashurinë e madhe njerëzore, respektin njerëzor mbi gjithçka.
Dua të them shumë, por i prekur dhe i emocionuar nga gjithë pjesëmarrja e njerëzve, dua të shpreh falënderimin e madh, mirënjohje dhe njëkohësisht t’ju them duajeni njëri-tjetrin, respektoni njëri-tjetrin, sepse pasuria më e madhe që Zoti mund t’i japë çdokujt është shëndeti. Para shëndetit, jetës dhe njerëzve të dashur të familjes, çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Paçi ditë të gëzuara me shëndet dhe zemrat plot. Respekt dhe mirënjohje nga unë personalisht, fëmijët e mi, mbesa dhe nipërit. Faleminderit me zemër”



