Demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjetur fajtorin e humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Ata kanë fajësuar aktorin e famshëm të Hollywood-it, George Clooney, pasi ishte ai që i kërkoi Joe Biden që të tërhiqej nga gara.
Pasi republikani Donald Trump fitoi ndaj rivales Kamala Harris, demokrati i përjetshëm George Clooney u kritikua për ndikimin e tij gjatë zgjedhjeve.
Në korrik të këtij viti, aktori i “Ocean’s Eleven” shkroi veçanërisht për “New York Times” dhe i bëri thirrje 81-vjeçarit që të braktiste fushatën e tij presidenciale.
“Ne nuk do të fitojmë në nëntor me këtë president”, shkruante 63-vjeçari.
Clooney më vonë lavdëroi Biden për “vetëmohimin” kur ai njoftoi se do të tërhiqej më 21 korrik.
Ndërkohë pas fitores së madhe të Donald Trump, një grup komentuesish politik i udhëhequr nga veteranët i quajtur altNOAA, shkruajti në “X”: “Dikush të më sjellë George Clooney. Duhet të bëjmë një… bisedë”.
Gazetari Joshua Hartley postoi një “screenshot” nga ekrani i artikullit të Clooney dhe shtoi: “Faleminderit George Clooney”.
Një përdorues i “X” shkroi: “Trump nuk duhet të harrojë të falënderojë të famshmit e Hollywood-it. Sidomos George Clooney”.
Një fanse e Donald Trump gjithashtu iu referua aktorit dhe shkroi: “Sapo u kujtova, ne nuk kemi pranuar akoma rolin e George Clooney në këtë fitore”.
“Meqenëse jam në një depresion të thellë dhe kam dëshirë të sulmoj dikë, si do ia bëjmë tani, o George Clooney?”, shkroi një përdorues i mediave sociale, ndërsa një tjetër thjesht shtoi: “Faji është i gjithi i George Clooney”.