E ftuar në pjesën e dytë në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë modelja dhe sipërmarrësja Aurela Hoxha. Me një karrierë disa vjeçare në botën e modës, Aurela Hoxha është larguar nga Shqipëria përpara disa kohësh pasi ka nisur një jetë të re në Spanjë, ku ka krijuar dhe një linjë me bikini.
U bënë disa vite qëkur ajo jeton jashtë Shqipërisë dhe ka zgjedhur të krijojë edhe familje, ku Aurela është nënë e dy fëmijëve. Lidhur me këtë temë, moderatorët kanë thënë se shumë modele shikojnë fillimisht më shumë karrierën se të pasurit një fëmijë, për shkak të ruajtjes së linjave të tyre. Madje një pjesë kanë zgjedhur dhe nëna surrogate. A e ka çuar ndonjëherë në mend Aurela këtë gjë?
E kam shumë të dëgjuar këtë sepse më vijnë komente pafund. Në fillim mërzitesha shumë të them të vërtetën sepse më akuzonin. Të gjithë e mendojnë që dy bebat e mi nuk i kam bërë unë. Unë për këtë nuk dua të flas shumë sepse për një gjë që ti nuk ke shumë informacion, nuk dua dhe të keqkuptohem apo të them diçka… Por personalisht unë u mërzita. Nuk i paragjykoj ato që bëjnë këtë zgjedhje, por kur ti bëhesh mama dhe të vijnë komente të tilla realisht ndihesh keq. Unë jam akoma shumë e ndjeshme.