“Antwerp, Dubai,” shërbimet e Policisë në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë kanë pikasur këto dy vende si pikat kryesore ku operon kompania “Bello”, e cila prej vitesh ka mbushur Europën me kokainë nga Ekuadori.
Media belge “GVA”, i ka dedikuar një shkrim shqiptarit Denis Matoshi, gjithashtu i njohur si Eldi Dizdari.
“Gazet van Antwerpen” shkruan se ka ndjekur paratë e mafies së drogës në Antwerp që tashmë po investohet në botën e pasurive të paluajtshme në Dubai.
Kur një makinë luksoze tip “Mercedes Benz” kaloi me rreth 240 km/orë në autostradën Anversë-Einthoven, rruga nga Belgjika drejt Holandës, dy oficerët e policisë shtangën: Uou Zoti im! Me 240 në orë!.
Ishte viti 2021 dhe bashkë me ta rastësisht gjendej dhe producenti televiziv belg, Luk Alloo me kameramanin e tij, i cili kishte dalë për të verifikuar dhe denoncuar si shkelen rregullat e qarkullimit rrugor në Belgjikë.
Oficerët ndalojnë mjetin, pa e ditur që drejtues ishte Eldi Dizdari, një nga personat më të kërkuar nga autoritetet e zbatimit të ligjit në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë.
Edhe pse e pyesin dhe i flasin, Dizdari nuk nuk kupton holandisht dhe përpiqet të qetësojë oficerët e policisë në anglisht.
“Ju lutem, më lini të shkoj. Ju lutem!,” thotë ai.
Por kur oficerët e bëjnë të qartë se ai duhet të dorëzojë patentën e shoferit, ai del jashtë mjetit. Është një burrë i gjatë dhe shumë i dobët.
Me mirësjellje i kërkon policisë të parkojë makinën e tij disa qindra metra më tutje, por policët nuk e përmbajnë dot gëzimin kur i shohin mjetin.
“Uau, kjo është një makinë e bukur.”
Luk Alloo, i cili dëshmoi gjithçka e përshkruan Dizdarin si një “humbës të ndershëm” dhe mbi të gjitha “shumë miqësor”.
Asnjë nuk e dinte se kishin ndaluar Eldi Dizdarin, një nga peshat e rënda të mafies shqiptare të drogës.
Në Shqipëri, Matoshi jo vetëm që është i lidhur me trafikun e gjerë, ndërkontinental të drogës, por dyshohet se ka luajtur edhe një rol të rëndësishëm edhe në “masakrën e Bllokut”, ku një person ndërroi jetë dhe të tjerë u plagosën.
Të shtënat mësohet se kanë të bëjnë me një konflikt në botën e drogës, ndonëse shërbimet e policisë shqiptare nuk përjashtojnë faktin se sulmi ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje për masakrën në Tropojë ku mbetën viktima të afërm të Denis Matoshit.
Denis Matoshi është një nga krerët e krimit të organizuar shqiptar që është vendosur në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ata pompojnë dhjetëra miliona, ndoshta nga trafiku i kokainës, në tregun lokal të pasurive të paluajtshme. Matoshi thuhet se është regjistruar zyrtarisht në Bluewaters Island Residences 2, në Dubai.
Bluewaters Island Residences 2, në Dubai
Ka diçka tjetër interesante në letrat e tij zyrtare: megjithëse i lindur në Bajram Curri në Shqipëri, Matoshi ka kombësi belge.
Ai është ose ka qenë i martuar (ende nuk janë të qartë) me Suada Sherifin, ish-Miss Shqipëria me të cilën ka një fëmijë.
Ajo ka 9 prona në Dubai në emrin e saj, me një vlerë totale të blerjes prej 17.8 milionë euro.