Dea Mishel Hoxha ka ndarë një nga dëshirat e saj më të mëdha: mëmësinë. Në një intervistë në “Canape” në T7, influencerja ka zhvilluar një bisedë të sinqertë për të shfaqur edhe anë të sajat që kapërcejnë stereotipin e bukuroshes bionde dhe që merret me modë apo makijazh.
Dea tha se dëshiron shumë që të ketë fëmijë dhe kur të vijë koha, fokusi i saj do të përqendrohet te ata.
“Dua shumë të kem fëmijë dhe të kem një familje të madhe. Kam përshtypjen që kur të bëhem me fëmijë, do të jetë fokusi im total aty”.
Ajo ka folur më herët për një sfidë të fortë shëndetësore për të cilën s’ka dashur të ndajë shumë, por ka lënë të nënkuptohet se ka qenë mjaft serioze. Pikërisht gjatë asaj periudhe dëshira për t’u bërë nënë i shfaqej në planet për të ardhmen duke i dhënë forcë për të mos u dorëzuar.
Vjet, pothuajse në këtë periudhë kam qenë e shtrirë aty në spital, nuk ia kam thënë askujt këtë, dhe doja shumë një shpresë që ta dija që do të shërohesha dhe do të bëhesha më mirë, e vetmja gjë që mua më mbante kur mbyllja sytë dhe përpiqesha të flija e të qetësohesha se kisha shumë dhimbje, mbyllja sytë dhe imagjinoja veten time nënë, thosha unë do të jetoj, unë do të bëj një fëmijë të bukur, do e rris me shumë dashuri dhe kjo ishte e vetmja gjë që mua…as ilaçet nuk më qetësonin sa më qetësonte kjo gjë dhe është një gjë që tani që e them emocionohem, po e pres të ndodhë në jetën time dhe e dua.
E di që do të jetë shumë e bukur kur të vijë, në kohën e duhur. Qëllimi im në jetë është që të krijoj familje, të rris fëmijë të lumtur e të përmbushur”.