Jennifer Lopez pritet të thirret si dëshmitare në gjyqin e ardhshëm ndaj Sean “Diddy” Combs, ndërsa prokurorët kërkojnë të përfshijnë në proces incidentin e vitit 1999 në një klub nate në Manhattan, ku të dy ishin të pranishëm. Ngjarja ndodhi më 27 dhjetor 1999 në Club New York, ku një përplasje me armë zjarri la të plagosur tre persona, përfshirë Natania Reuben, e cila u qëllua në fytyrë.
Lopez dhe Diddy u arrestuan atë natë, por më pas Lopez u lirua pa akuza, ndërsa Diddy u shpall i pafajshëm në gjyqin penal. Megjithatë, prokurorët tani argumentojnë se ky incident tregon një model sjelljeje të dhunshme nga ana e Diddyt, një pretendim që avokatët e tij e kundërshtojnë fuqishëm.
Avokatët e Diddyt kërkojnë të përjashtojnë nga gjyqi çdo referencë ndaj incidentit të vitit 1999, duke e cilësuar si të parëndësishëm për çështjen aktuale. Ata gjithashtu kundërshtojnë përfshirjen e një videoje të vitit 2016, ku pretendohet se Diddy sulmon këngëtaren Cassie Ventura, duke e konsideruar atë të manipuluar dhe të paautentikuar.
Gjyqi ndaj Diddyt, i cili përfshin akuza për trafikim seksual dhe konspiracion kriminal, pritet të fillojë më 12 maj, me përzgjedhjen e jurisë një javë më parë .