As nuk kishin kaluar 30 minuta nga nisja zyrtare e provimit të matematikës, dhe rrjetet sociale tashmë “zienin” nga fotot e tezave. Një tjetër skandal në provimet e Maturës Shtetërore u shfaq sot para syve të të gjithëve, si për të na kujtuar se ky fenomen nuk është përjashtim, por rregull.
Për të disatin vit me radhë, siguria e testimeve kombëtare bie për tokë, ndërsa institucionet heshtin. A është ky një dështim i sistemit, apo një lojë e lejuar që ndëshkon të ndershmit dhe shpërblen ata që dinë si të “lëvizin fijet”?
Sipas Ministrisë së Arsimit, mbi 27 mijë maturantë në mbarë vendin i nënshtrohen këtyre provimeve, që duhet të jenë dera drejt arsimit të lartë. Por për mijëra të rinj që ulen në bankat e shkollës me ndershmëri, çdo rrjedhje e tezës është një shuplakë fytyrës dhe një favor për ata që kanë aksesin e duhur në telefon në momentin e duhur.
Provimi i parë, ai i gjuhës së huaj më 3 qershor, kaloi pa bujë. Por që në provimin e dytë, më 10 qershor, u ngritën aludime për rrjedhje të mundshme. Sot, me provimin e matematikës, nuk ka më vend për dyshime, tezat janë publikuar pa kaluar as gjysmë ore. Dhe çfarë pritet më 24 qershor, në provimin me zgjedhje?
Sa herë do përsëritet kjo histori, derisa dikush të mbajë përgjegjësi? Apo do mjaftohemi sërish me ndonjë deklaratë të vakët dhe ndonjë inspektim simbolik?
Sepse në fund, nuk është thjesht një provim që rrjedh, është besimi te sistemi që tretet.