Në epokën ku çdo moment personal transmetohet “live”, edhe lindja e një fëmije nuk i shpëton dot ekranit. Influencuesja Eliona Pitarka është bërë nënë për herë të tretë, një gëzim i madh që padyshim ka emocionuar shumë ndjekës. Por ajo çfarë pasoi pas këtij lajmi të bukur, ndezi një debat publik për një çështje më të madhe: deri ku shkon ekspozimi i fëmijëve në rrjet?
Pasi mbajti të fshehtë gjininë gjatë gjithë shtatzënisë (një zgjedhje personale dhe e respektueshme) Eliona publikoi menjëherë pas lindjes një quiz në Instagram ku ndjekësit ftoheshin të gjenin: është vajzë apo djalë?

Një moment që për disa u duk si një mënyrë kreative për të ndarë lajmin, për shumë të tjerë u perceptua si një vazhdim i lojës me ndjenjën e kuriozitetit, tashmë në kurriz të një foshnje të porsalindur.
Ndarje gëzimi apo ndarje për algoritmin?
Në një shoqëri ku emocionet ndahen me filtra, është gjithnjë e më e vështirë të kuptohet nëse një postim është reflektim i një ndjenje të sinqertë, apo një strategji për angazhim. Kjo ndarje bëhet edhe më e ndjeshme kur përfshihet një fëmijë, një qenie që ende nuk ka mundësi të japë pëlqimin apo të kuptojë çfarë ndodh me imazhin e tij në internet.
Pjesa më e madhe e komenteve nën postimin e Elionës nuk ishin as urime, as kritika personale, por reflektime të shoqërisë ndaj një fenomeni që po përhapet gjithnjë e më shumë: kthimi i bebeve në pjesë të pandashme të “content-it” ditor.



Influenca si profesion dhe kufijtë e ekspozimit të të miturve
Askush nuk mohon që të qenit influencues është sot një profesion më vete. Por, një pjesë e ndjekësve në Shqipëri po ngrenë shqetësimin se përdorimi i fëmijëve si pjesë e këtij “produkti online” po tejkalon çdo kufi. Komente si “i kanë kthyer bebat në biznes”, “nuk janë më fëmijë, janë quiz-e online”, apo “shijojeni për vete, jo për botën” janë shenja të një lodhjeje kolektive ndaj spektaklit të pandërprerë në rrjet.
Po jashtë Shqipërisë, çfarë ndodh? A ka pasoja ligjore?
Në vende si Franca dhe Gjermania, mbrojtja e privatësisë së fëmijëve është e rregulluar ligjërisht. Prindërit që publikojnë në mënyrë të tepruar apo komerciale imazhin e fëmijëve mund të përballen me sanksione, ndalime publikimi apo dhe gjoba, veçanërisht në rastet ku postimet perceptohen si shkelje të të drejtave të të miturve.
Në Francë, Kodi Civil parashikon të drejtën e fëmijës për të mbrojtur imazhin e tij – dhe në të ardhmen, një fëmijë mund të kërkojë edhe dëmshpërblim ndaj prindërve, nëse ndihet i cënuar nga postimet e fëmijërisë së tij.
Në Shqipëri? Ky debat është ende në hapat e parë.
Ky artikull nuk ka për qëllim të gjykojë një nënë të re në ditët e para të gëzimit të saj. Përkundrazi, është një ftesë për të gjitha nënat, prindërit, dhe sidomos për figurat publike që ndikojnë në opinion: të ndalemi dhe të pyesim veten: po e ndaj këtë moment për vete apo për botën? Për gëzim apo për klikime? Për kujtim apo për shikueshmëri?
Sepse përpara se të jetë “content”, një fëmijë është një shpirt i pastër që ka nevojë për mbrojtje. Jo për kureshtjen e publikut. Dhe sigurisht, jo për algoritmin.
Lindja është mrekulli. Dhe nëse zgjedhim ta ndajmë këtë moment me të tjerët, le ta bëjmë me dashuri. Me maturi. Dhe mbi të gjitha, me ndjeshmëri njerëzore, që shpesh harrohet pas ekranit.
/iconstyle.al