Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Patos, ku një 36-vjeçar është arrestuar nën dyshimet për abuzim seksual ndaj vajzës së tij 12-vjeçare. Nëna e vajzës, në një intervistë emocionale me gazetaren Luçiana Hulej, ka thyer heshtjen dhe ka rrëfyer përballjen e saj të parë me akuzat në komisariat.
“Vajza tregonte që ‘babai më prekte dhe më kapte’. Më ra si bombë… nuk kisha parë gjë me sytë e mi. Para syve të mi nuk ka ndodhur asgjë, prapa krahëve të mi nuk di gjë,” tha ajo.
Gruaja tregon se ka qenë e martuar për 13 vite me të dyshuarin dhe se bashkë kanë 7 fëmijë. Ajo thotë se nuk ka pasur asnjë dyshim për sjelljet e bashkëshortit:
“Burri ikën në 6 të mëngjesit, vjen në 6 pasdite. Ai e mbante shtëpinë.”
Ndërkohë, për të mbrojtur fëmijët e tjerë nga e vërteta e rëndë, ajo tregon se u ka thënë se babai është larguar për në Gjermani dhe se motra do të kthehet.
“Po ta dija, do e kisha vrarë vetë me duart e mia. Do i dilja në mbrojtje vajzës. Nëse e ka pranuar, të kalbet në burg,” u shpreh ajo me dhimbje.
“Unë jam nënë me 7 fëmijë. Shteti të vërë dorën në zemër e të më ndihmojë.”