Një grua 37-vjeçare nga Jilin, Kinë, ka tronditur rrjetet sociale me rrëfimin e saj, pasi zbuloi se për më shumë se dy dekada nuk kishte hequr siç duhet grimin nga fytyra. Si pasojë, ajo u përball me një skuqje të rëndë dhe deformim të lëkurës.
Gruaja, e njohur vetëm si Gao, ndau historinë e saj përmes një videoje që është bërë virale në platformat kineze të rrjeteve sociale, duke e shndërruar atë në një paralajmërim për kujdesin ndaj lëkurës. Gao rrëfeu se që prej moshës 15-vjeçare kishte filluar të përdorte grim, e magjepsur nga buzëkuqi i nënës së saj, por asnjëherë nuk e kishte parë të domosdoshme ta pastronte plotësisht fytyrën.
“Pse të shqetësohem për heqjen e grimit nëse do ta vendos përsëri të nesërmen?” – ishte mendësia që e shoqëroi për më shumë se 20 vjet. Ajo e shpëlante fytyrën vetëm me ujë para se të shkonte në shtrat dhe shtonte më shumë grim të nesërmen.
Sipas mediave te huaja, edhe pse kishte pasur probleme me aknet ndër vite, lëkura e saj nisi të përkeqësohej seriozisht vetëm në fillim të këtij viti, kur pësoi një reaksion alergjik të fortë. Fytyra iu ënjt, u skuq dhe mori një nuancë vjollcë pas një trajtimi të pasuksesshëm në një klinikë estetike.
“Kruarja është e padurueshme. Fshihem në shtëpi çdo ditë. Nuk guxoj të dal jashtë, të takoj njerëz ose të bëj miq,” tha Gao në një prej videove të saj, ku shfaqet me lëkurën dukshëm të dëmtuar. Ajo e përshkruan ndjesinë si “mijëra milingona të vogla që zvarriten në fytyrën time”.
Një dermatolog, duke komentuar rastin, theksoi se 22 vite pa një pastrim të rregullt të fytyrës janë një faktor i rëndësishëm, por situata mund të jetë ndikuar edhe nga përdorimi i produkteve të shumta, injeksione të përsëritura ose keqpërdorim i tyre.
Ekspertët këshillojnë që pastrimi i grimit të bëhet çdo ditë në mënyrë të plotë, veçanërisht për personat që përdorin produkte kozmetike për periudha të gjata, për të shmangur probleme të tilla serioze të lëkurës.