Më shumë se një vit pas akuzave të para për ngacmim seksual, ish-asistentja personale e reperit Kanye West, Lauren Pisciotta, ka dorëzuar një padi të re dhe më të gjerë kundër artistit të famshëm, duke e akuzuar për sulm seksual, detyrim dhe forma të tjera të abuzimit.
Pisciotta, e cila ka punuar për West nga viti 2021 deri më 2022, kishte depozituar padinë fillestare në qershor të vitit 2024, ku pretendonte se reperi i kishte dërguar mesazhe me përmbajtje seksuale, i kishte treguar materiale pornografike dhe kishte bërë telefonata me përmbajtje eksplicite. Por në padi të re, të dorëzuar më 8 korrik 2025, ajo akuzon West edhe për sulm seksual, përfshirë edhe një rast të rëndë të “përdhunimit oral”.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista PEOPLE, 48-vjeçari, tashmë ligjërisht i njohur si Ye, dyshohet se kishte tentuar të kryente penetrim vaginal me gishta ndaj Pisciottës dhe kishte kryer akt oral pa pëlqimin e saj gjatë kohës së punës së saj pranë tij.
Padia përshkruan disa episode ku West dyshohet se ka ushtruar presion për kontakt fizik të pa dëshiruar, duke përfshirë edhe puthje të detyruara gjatë një udhëtimi pune në San Francisko në vitin 2021. Në një tjetër rast, ai i kishte bërë pyetje intime dhe kishte kryer lëvizje të papërshtatshme ndaj saj, ndërkohë që e kishte mbajtur të bllokuar në një dhomë hoteli dhe kishte kryer sjellje të papërshtatshme.
Gjithashtu, padi pretendon se Ye kishte angazhuar një person të tretë për ta përndjekur Pisciottën, duke organizuar thirrje të rreme në emergjenca, që sollën ndërhyrjen e policisë dhe shërbimeve shtetërore në banesën e saj.
Ekipi ligjor i Kanye West ka mohuar fuqishëm akuzat, duke i cilësuar ato “shantazh dhe tentativë për zhvatje”, dhe ka paralajmëruar kundërpadi ndaj Pisciottës.