Një hetim gjyqësor në Tullamore, Irlandë, ka nxjerrë në pah një histori të ngarkuar me dyshime , ku Lisa Flaherty, 50 vjeçe, u akuzua për shkaktimin e vdekjes së bashkëshortit të saj shumë më të vjetër, Joseph Grogan, 75 vjeç.
Sipas Daily Mail, ata u martuan fshehtas vetëm një ditë para se zoti Grogan të ndërronte jetë, dhe trupin e tij e bënë balsamim me nxitim, duke krijuar dyshime mbi mënyrën dhe kohën e vdekjes.
Gjatë hetimit tre-ditor që përfundoi më 16 korrik, avokatët e familjes Grogan ngritën pikëpyetje serioze mbi sëmundjen e Joseph Grogan, i cili sipas pretendimeve të znj. Flaherty vuante nga një kancer i paoperueshëm në fazën 4 dhe ishte në prag të vdekjes. Megjithatë, avokati i kushërinjve të tij, Damien Tansey, hodhi poshtë këto pretendime duke i quajtur “të pasakta” dhe akuzoi znj. Flaherty se kishte përhapur një rrëfim të rremë.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për marrëdhënien e tyre, duke thënë se ajo kishte filluar kur Flaherty ishte vetëm 16 vjeç, duke përmendur një kontekst që i dha natyrë shumë të diskutueshme lidhjes së tyre.
Joseph Grogan, i njohur në komunitetin bujqësor dhe ish-organizator i Kampionatit Kombëtar të Lërimit, ishte diagnostikuar në fillim të vitit 2023 me limfomë agresive të fazës 4 dhe kishte pësuar komplikacione gjatë kimioterapisë. Mjeku ligjor Raymond Mahon vendosi se vdekja e tij ishte pasojë e një infeksioni të mundshëm, i cili ishte i lidhur me sistemin e dobësuar imunitar për shkak të trajtimeve mjekësore.
Ai pranoi gjithashtu se kishte “shqetësime ” për kujdesin e zotit Grogan, por vuri në dukje se vetë pacienti kishte qenë i ngurtë në refuzimin e vizitave mjekësore.
Një nga pikat më shqetësuese në këtë rast ishte “martesa sekrete” midis Grogan dhe Flaherty, e cila u krye në një zyrë gjendjeje civile vetëm një ditë para vdekjes së tij. Familja Grogan e mori vdekjen e tij shumë papritur dhe u trondit edhe nga mënyra e nxituar me të cilën trupi i tij u mor për t’u balsamuar vetëm pak orë pas ndarjes nga jeta, gjë që praktikisht e bëri të pamundur kryerjen e një autopsie të plotë për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes.
Avokati Tansey argumentoi se kjo procedurë nxituese ngre pyetje serioze për transparencën dhe ligjshmërinë e veprimeve pas vdekjes së zotit Grogan. Ai tha se kjo “mund të jetë një vrasje e paligjshme që lind nga mosveprimi apo veprime të paligjshme”. Sipas tij, vdekja e papritur e zotit Grogan duhet të hulumtohet më thellë për të garantuar drejtësi.
Nga ana tjetër, avokati i znj. Flaherty, Stephen Byrne, mbrojti klienten e tij duke thënë se akuzat janë të pabaza dhe se ajo ishte nën presion të madh gjatë hetimit. Ai shtoi se vdekja e zotit Grogan ishte e paparashikueshme dhe se ai vetë kishte refuzuar trajtim mjekësor të mëtejshëm, duke marrë vendimet për kujdesin e tij personale.
Rasti ka trazuar komunitetin lokal dhe ka shkaktuar debat rreth etikës së kujdesit ndaj pacientëve të sëmurë rëndë, si dhe rreth ligjshmërisë së martesave të shpejta dhe menaxhimit të pasurisë së personave të vdekur. Pasuria e zotit Grogan, që vlerësohet në 5.5 milionë euro, do të trashëgohet nga znj. Flaherty, duke shtuar edhe më shumë tension mes familjeve.
Hetimi vazhdon dhe tani familja Grogan po përgatitet të sfidojë ligjërisht vlefshmërinë e martesës në Gjykatën e Lartë, ndërsa publikisht kërkojnë përgjigje për të gjitha dyshimet që lidhen me këtë çështje të ndërlikuar dhe tragjike.