Një ngjarje tronditëse ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Pocest, në njësinë administrative Maqellarë, ku një 26-vjeçar ka plagosur rëndë nënën e tij gjatë një konflikti të shkaktuar për motive të dobëta. Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Dibrës, pas marrjes së njoftimit për një konflikt familjar, forcat policore janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
Nga hetimet e para ka rezultuar se shtetasi I. S., 26 vjeç, ka goditur me thikë nënën e tij, shtetasen N. S., 50 vjeçe, e cila është transportuar urgjentisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është raportuar në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre, dhe për fatin e keq, N. S., e cila është drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare në fshatin Pocest, ka pësuar dëmtime të rënda. Ndërkohë, i riu Itles Sula është arrestuar në flagrancë nga Policia, ndërsa arma e krimit, një thikë, është sekuestruar si provë materiale.
Raportohet se i dyshuari, Itles Sula, kishte përfunduar studimet e larta, por ishte ende i papunë dhe kishte shfaqur shenja depresioni prej kohësh. Aktualisht, materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme hetimore.