Një skenë që po përsëritet në çdo aeroport: udhëtarë që shtrihen në radhë të gjata, oficerë kufiri që shpjegojnë me zë të lodhur një sistem të ri digjital që “nuk është shumë i shpejtë”, dhe njerëz që humbasin fluturime pasi qëndruan me orë të tëra për t’u regjistruar.
Ky është realiteti i ditëve të para të Entry/Exit System (EES), sistemi i ri elektronik që Bashkimi Europian ka vënë në zbatim për të regjistruar hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet jo anëtare të BE-së.
Që nga 12 tetori 2025, çdo person që hyn në zonën Schengen për turizëm apo punë, duhet të japë gjurmët e gishtave dhe një foto biometrike, të cilat ruhen për tre vjet në një bazë të dhënash europiane. Në teori, është një sistem modern që do të rrisë sigurinë dhe do të zëvendësojë vulat në pasaportë.
Në praktikë… është kthyer në një kaos që po çmend udhëtarët dhe stafet aeroportuale.
✈️ Radhë, vonesa, ankesa dhe fluturime të humbura
Në Lisbonë, mediat raportojnë se aeroporti është “shpërbërë në kaos” me dhjetëra pasagjerë që kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të reja.
Në Pragë, pritja për verifikim ka zgjatur deri në 90 minuta, ndërsa në disa pika kufitare franceze dhe holandeze, pasagjerët janë paralajmëruar të mbërrijnë katër orë më herët se zakonisht.
Komentet e qytetarëve janë të njëjta kudo: lodhje, frustrim dhe një ndjenjë se teknologjia e re nuk ka ardhur për t’ua lehtësuar jetën, por për ta vështirësuar më shumë.
Shumë ekspertë dhe punonjës aeroportesh e quajnë këtë fazë të EES-it “eksperiment të rrezikshëm në kohë reale”.
Në shumë pika, skanerët biometrikë nuk funksionojnë njësoj, oficerët nuk kanë trajnim të mjaftueshëm dhe për udhëtarët që kanë probleme me pasaportat e huaja apo me qëndrimet e mëparshme, sistemi nuk i njeh menjëherë.
Në komente në rrjete sociale, disa qytetarë kanë hedhur idenë që të krijohen zyra në qytete ku njerëzit të mund të bëjnë paraprakisht regjistrimin biometrik, përpara se të shkojnë në aeroport.
Të tjerë, me sarkazëm, shkruajnë se “sistemi do të dështojë më shpejt se ç’u ndez” dhe se do të kthehemi shumë shpejt te kontrolli manual dhe vula në pasaportë.
Ky sistem, që synon të forcojë kontrollin dhe sigurinë, po teston durimin e njerëzve. Udhëtarët ndihen më të ekspozuar ndaj rrezikut për të humbur fluturimet, për të humbur takime, apo për të humbur durimin në radhë që nuk mbarojnë.
EES u mendua si një mënyrë për të ndaluar qëndrimet e paligjshme dhe për të mbledhur të dhëna më të sakta për hyrje-daljet në BE.
Por mënyra si po zbatohet po ngre momentalisht pikëpyetje të mëdha dhe pasiguri tek qytetarët.



