Fshati Agios Leontas në Zakynthos është tronditur nga vdekja tragjike e një djali 2-vjeçar shqiptar, i cili u sulmua nga një qeni PitBull që i përkiste familjes. Ngjarja ka lënë të gjithë banorët në gjendje shoku dhe ka hapur shqetësime mbi sigurinë e kafshëve të rrezikshme.
Sipas raportimeve të mediave vendase, çifti shqiptar kishte dalë për të blerë furnizime për shtëpinë, ndërsa djali i tyre i vogël, duke shpëtuar vëmendjes së prindërve, u drejtua drejt pemës ku ishte lidhur qeni. Ai u sulmua barbarisht dhe pësoi lëndime të rënda. Babai i djalit, me zërin e dridhur, rrëfeu për Alpha: “Vajza ime e vogël më thirri dhe unë vrapova shpejt. Djali im i vogël iku… Fëmija më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë”.
Djali u transportua menjëherë në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos, ku mjekët luftuan për jetën e tij, por për fat të keq nuk ia dolën dot. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e sulmit, ndërsa prindërit mbahen në paraburgim për hetime të mëtejshme.
Qeni, që sipas raportimeve ishte endacak dhe më pas u strehuar nga familja, ka ngjallur shqetësime mes banorëve të fshatit, të cilët paralajmëruan se kafsha mund të ishte e rrezikshme. Ngjarja e trishtë ka ngritur sërish debatet mbi rregullat për mbajtjen e kafshëve të rrezikshme dhe sigurinë e fëmijëve në komunitete të vogla.



