Aktori Dwayne Johnson ose ndryshe i njohur me emrin e tij artistik “The Rock” e befasoi nënën e tij, Ata me një shtëpi krejt të re, teksa ka zbuluar në një seri videosh që tregojnë reagimin e të ëmës.
“Kur isha djalë i vogël, e urreja kur nëna ime qante”, shkroi Johnson. “Këto ditë, me kënaqësi do t’i marr lotët e gëzimit. E befasova mamin dhe i bleva një shtëpi të re.”
Johnson shpjegoi se atij dhe ekipit të projektimit iu deshën tetë javë për ta mobiluar shtëpinë plotësisht përpara se t’ia tregonin Ata-s.
“Gjithçka që ajo pa ishte krejt e re dhe një surprizë totale,” ndau ai. “Unë kam qenë mjaftueshëm me fat që i kam blerë disa shtëpi gjatë viteve, por kjo është e veçantë pasi më ka thënë vazhdimisht gjatë këtyre viteve të fundit, pas një jete udhëtimi, dua që kjo shtëpi të jetë e fundit. Kjo është ëndrra ime. Mami, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të të bëj të lumtur – mirë se erdhe në shtëpi.”
“Unë gjithmonë them, nëse ke një nënë të mirë, atëherë ke mundësi të bëhesh një qenie njerëzore e mirë dhe e kujdesshme”, vazhdoi Johnson. “Le t’i japim të gjithë nënave tona një përqafim të fortë këtë fundjavë dhe t’i bëjmë ato të lumtura.”