Alban Skënderaj ka folur për muzikën në ditët e sotme, duke thënë se bëhet kryesisht vetëm për clube, duke harruar që një pjesë e madhe e shoqërisë pret t’i ofrohet diçka tjetër.
Këngëtari tha 90% e artistëve shqiptarë kanë në fokus clubet, pasi aty ka një pagesë të mirë, pa e kupuar se muzika që të gjithë po realizojnë iu përshtatet vendeve të tila.
Sipas tij muzika nuk mund të mbahet me 20-vjeçarë, pasi ka edhe një brez tjetër që kërkon gjëra të tjera.
“Problemi me clubin është që nuk është vetëm clubi mjet matës i dëfrimit, i qasjes ndaj muzikës. E kemi bërë ne. 90% e artistëve shqiptarë kanë si fokus clubin, sepse aty ka para, ka pagesa, ka jetë, ka qarkullim, është një biznes. Dhe pa kuptuar, nuk e vërejmë se të gjithë, qoftë edhe unë bashkë, që ndikohemi muzikalisht nga ajo atmosferë dhe bëjmë muzikë vetëm për clube. Ndërkohë që unë nuk mendoj se në shoqëri është vetëm clubi si formë dëfrimi.
Unë mendoj që është edhe një brez tjetër, që kërkon gjëra të tjera, por nuk i ofrohen. Është një pjesë shumë e madhe e shoqërisë që nuk merret fare në konsideratë. Nuk mund të mbahet muzika vetëm me 20-vjeçarë. Për shembull, në club nuk ke mbi 30. Të tjerët çfarë bëjnë, ku shkojnë? Presin t’u ofrohet diçka. Kur unë bëra koncertin në Pallatin e Kongreseve, nuk e prisja kurrë që do kishte interes. Nuk e prisja kurrë që do ishin 3 netë, diku te 6500 bileta të shitura. Pse?Sepse kishte uri për diçka ndryshe,” –u shpreh Albani në një intervistë me Mira Kazhanin.
Këngëtari mbajti një koncert 3-ditor në mars të vitit 2018, të quajtur “Hapësira e një ëndrre”.