Ish-Missi shqiptar Almeda Abazi dhe aktori turk Tolgahan Sayisman kanë nisur së fundimi pushimet në Shqipëri.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Almeda përmes postimeve në rrjetet sociale. Aktorja ka publikuar një foto krah bashkëshortit të saj, ndërsa në postimin që ka ndarë në Instagram, ajo zbulon se ndodhet në Dajt.
Çifti i njohur janë prindër të dy fëmijëve, ndërsa pak kohë më parë Almeda ka shprehur dëshirën për t’i rritur të vegjlit e saj me kulturën dhe gjuhën shqipe.
Në një intervistë të dhënë më parë Almeda tregoi se sa shumë ajo dhe partneri i saj e duan Shqipërinë dhe kanë menduar të blejnë një shtëpi pasi dëshiron që muajt e verës t’i kalojë në vendlindjen e saj.
“Sigurisht, dhe mund të them që e kemi vendosur dhe shumë shpejt do e kemi sepse dhe Tolga e pëlqen shumë Shqipërinë dhe ndihet shumë i lumtur dhe komod atje. Ëndrra ime është që muajt e verës t’i kaloj në Shqipëri me fëmijët sepse dua shumë që t’i rris me traditat dhe gjuhën shqipe.”, ka treguar Almeda.
E pyetur se çfarë i pëlqen Toglës më shumë rreth vendlindjes së saj, modelja tregoi se njerëzit dhe mundësia për të ecur kudo nëpër Tiranë janë ato çka ai pëlqen më së shumti pasi në Turqi është vështirë.