Modelja e njohur Arbenita Ismajli ka bërë një deklaratë të gjatë dhe të fortë në rrjetet sociale, duke hedhur akuza të rënda ndaj ish-bashkëshortit të saj, reperit Feronit Shabani, i njohur si Fero.
Ajo ka rrëfyer detaje tronditëse nga jeta e saj martesore dhe pasojat që, sipas saj, ka pësuar vajza e tyre e mitur, Nina.
Në reagimin e saj, Ismajli flet për dhunë fizike dhe psikologjike, tradhti të përsëritura, përdorim të lëndëve narkotike, mungesë totale të përfshirjes financiare të Feros në jetën e vajzës, si dhe për manipulim e presion të vazhdueshëm ndaj saj dhe familjes së saj.“Ai ka të drejtë, historia e tij kurrë nuk u tregua, sepse nuk dua që vajza ime dhe të gjithë të tjerët të mendojnë se ai është një përbindësh… por ja disa fakte: përdorim kokaine, tradhti të përsëritura, asnjë mbështetje financiare, dhunë mendore dhe fizike ndaj meje – kujdestares kryesore të vajzës, madje edhe ndaj motrës së tij kur unë isha shtatzënë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, vajza ka qenë shpeshherë dëshmitare e sjelljeve abuzive dhe kjo ka ndikuar negativisht në shëndetin e saj mendor. Arbenita pohon se, pavarësisht përpjekjeve për të mbajtur një marrëdhënie të qetë bashkëprindërore, Fero ka refuzuar kushtet e vizitave të sigurta dhe ka zgjedhur të “krijojë drama online” përmes vajzës.“Ai refuzon të takohet me vajzën në kushte të sigurta dhe të shëndetshme, ndonëse ne kemi bërë disa propozime në këtë drejtim. Në vend të kësaj, zgjedh të më ngacmojë mua dhe familjen time në WhatsApp, ndërsa online portretizohet si viktimë.”
Modelja ka shtuar se gjatë gjithë martesës ka mbajtur vetë barrën financiare për gjithçka: shtëpinë, makinat, ushqimin, veshjet, shërbimet mjekësore – madje edhe për familjen e Feros. Ajo e përshkruan atë si të paaftë për t’u kujdesur për veten dhe një njeri që, sipas saj, përdor vajzën si mjet për hakmarrje.
“Ai vazhdon të përdorë fëmijën tonë si armë kundër meje, dhe çdo veprim e ka motivin në hakmarrje, jo në dashurinë ndaj vajzës.”
Akuza edhe ndaj familjes së Feros
Në postimin e saj, Arbenita ka ngritur akuza edhe ndaj familjes së reperit, duke i quajtur ata “abuzivë” dhe “të përfshirë në vjedhje dhe mashtrime financiare”. Ajo përmend një borxh prej 50 mijë eurosh që, sipas saj, babai i Feros i detyrohet.
Ajo shpjegon gjithashtu se nuk ka bërë asnjëherë deklarata negative për Feron përpara vajzës, por sipas saj, sjelljet e tij janë të dukshme dhe vajza e ndien pasigurinë dhe frikën gjatë takimeve të mbikëqyra në Qendrën për Punë Sociale në Kosovë.
Kujtojmë se muajin e kaluar, Gjykata Themelore në Gjilan lëshoi urdhër-arrest ndërkombëtar për Arbenita Ismajlin, pas pretendimeve se ajo ka penguar zbatimin e një vendimi gjyqësor për takimet e vajzës me babanë.
Prokuroria Themelore në Gjilan nisi hetimet në qershor 2025, duke dyshuar se Ismajli nuk ka respektuar vendimin që lejonte Feron të takohej me vajzën dy herë në muaj, përmes Qendrës për Punë Sociale. Sipas Prokurorisë, ajo e ka larguar vajzën nga Kosova që nga shtatori i vitit 2024, duke qëndruar në vende të ndryshme të Evropës.
Nga ana tjetër, Fero është akuzuar më parë për dhunë në familje, sulm fizik dhe kanosje, akuza që lidhen me periudhën kur çifti ishte ende i martuar.
Në përfundim të reagimit të saj, Arbenita i ka drejtuar një mesazh grave që po kalojnë në situata të ngjashme:
“Po përpiqem ta mbroj vajzën time nga ky cikël toksik. E di që duket si një betejë e pamundur, por ju lutem, thyeni ciklin nëse mundeni. Jam e lirë nga një ‘dusty’ dhe kurrë nuk do të kthehem mbrapa.”
