Meriton Mjekiqi dhe Rinor Mjekiqi janë ndaluar nga Policia e Kosovës , më 22 korrik, në lidhje me një incident të rëndë që ndodhi më 11 korrik dhe që përfundoi me lëndimin e rëndë trupor të Egzon Grajqevcit.
Sipas burimeve të “Sinjalit”, dy vëllezërit ishin në kërkim që prej ditës së ngjarjes, por janë paraqitur vetë sot rreth orës 15:00 në Stacionin Policor të Obiliqit. Ata janë marrë në pyetje në prani të avokatëve mbrojtës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një përleshjeje fizike, ku viktima ka pësuar dëmtime serioze në trup.
Pas intervistimit, Prokuroria ka vendosur ndaj të dyshuarve masën e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. Burimet theksojnë se autoritetet po shqyrtojnë të gjitha provat për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.