Një tjetër betejë ligjore shpërthen në familjen Presley, këtë herë me pasoja tronditëse. Priscilla Presley, vejusha 80-vjeçare e ikonës së muzikës Elvis Presley, është paditur nga dy ish-partnerë të saj të biznesit për mashtrim, shkelje kontrate dhe ndërhyrje në vendimin për jetën e vajzës së saj, Lisa Marie Presley e ,cila vdiq në janar 2023.
Padia prej 50 milionë dollarësh, e depozituar në Gjykatën e Lartë të Los Angeles-it nga Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko, e akuzon Priscilla-n për një sërë veprimesh të rënda, përfshirë vendimin për të hequr mbështetjen jetësore të Lisa Marie, vetëm pak orë pas shtrimit të saj në spital, në një kohë kur ajo nuk ishte deklaruar ligjërisht e pajetë. Sipas paditësve, vendimi është marrë me qëllim që Priscilla të parandalonte ndryshimet në strukturën e trashëgimisë dhe të rifitonte kontrollin mbi pasurinë e Graceland-it.
Lisa Marie Presley, vajza e vetme e Elvis Presley-t, vdiq në moshën 54-vjeçare nga një atak kardiak, ndërsa mjekët ligjorë e kanë lidhur vdekjen me komplikime nga një ndërhyrje bariatrike. Megjithatë, padia ngre dyshime të reja, duke sugjeruar se Priscilla kishte një motiv për të vepruar në mënyrë të tillë.
Përveç akuzave për ndërhyrje në vendimin mjekësor, paditësit e akuzojnë Priscilla Presley për mashtrim financiar në lidhje me kompaninë e përbashkët “Priscilla Presley Partners”, në të cilën ata kishin investuar miliona dollarë për të ringjallur markën rreth figurës së saj publike. Ata pretendojnë se janë mashtruar në mënyrë sistematike dhe janë përjashtuar nga përfitimet e biznesit.
Reagimi nga kampi i Priscilla Presley nuk ka vonuar. Avokati i saj, Marty Singer, e ka cilësuar padinë si “të pabazë, të turpshme dhe të shpifshme”, duke shtuar se bëhet fjalë për një përpjekje hakmarrëse nga individë që po përpiqen të përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga figura e një gruaje të moshuar.
Singer theksoi gjithashtu se Priscilla vetë ka ngritur më parë një padi kundër Kruse dhe Fialko për abuzim financiar ndaj një personi të moshuar, duke pretenduar se ata kanë përvetësuar më shumë se 1 milion dollarë nga ajo përmes manipulimit të dokumenteve dhe marrëveshjeve të dyshimta.
Pas vdekjes së Lisa Marie Presley-t, vajza e saj, aktorja Riley Keough, fitoi një betejë ligjore për të marrë kontrollin e plotë të Graceland-it dhe trashëgimisë së nënës së saj, duke lënë Priscilla-n jashtë menaxhimit të trustit familjar. Sipas burimeve të afërta me familjen, Riley qëndron në mbështetje të gjyshes së saj, pavarësisht zhurmës që ka shkaktuar padia e fundit.