Klejdi Lupa, i njohur profesionalisht si Claydee, është një këngëtar, tekstshkrues dhe producent shqiptar por që e ka zhvilluar karrierën e tij në Greqi. Megjitjatë këngët e tij dëgjohen edhe në vendin tonë dhe Claydee ka bërë disa bashkëpunime me rtistë shqiptarë.
Këtë mbrëmje, i ftuar në emisionin “Më lër të flas”, Claydee kujtoi fillimet e karrierës së tij dhe periudhën e vështirë në Greqi, kur i duhej të përballej me racizmin.
“Fillimi ka qenë i vështirë, si të gjithë njerëzit. Racizmi gjithmonë ekziston, por ka të bëjë shumë familja dhe e kupton shumë shpejt që të gjithë njerëzit janë njësoj dhe ke mundësi të tregosh kush je me punën tënde, me gjërat që bën dhe duhet të vlerësosh shpirtin e njerëzve.
Në Greqi, në fillim ka qenë vështirë, por kur rezultatet dhe puna që dashuron dhe e bën me shumë pasion dhe krijon diçka të suksesshme, suksesin e duan të gjithë dhe aty mbaron racizmi, të gjithë të duan”. -u shpreh ai. Ai po ashtu rrëfeu momentin kur u tregoi prindërve se do të bëhej pjesë e muzikës. “Duke mësuar njerëzit që të kërcejnë, bënim show me disa vende në një skuadër dhe donte njëri të priste ca këngë, unë po vija këngë, i prishja këngët e famshme dhe i ndërroja. Bëra këngën e parë 20 vjeç, hera e parë u bë number one në Greqi, last summer. Kisha bërë disa këngë, ajo u bë hit i madh, ishte ajo që unë mund të qëndroja në studio. Unë u thash prindërve që s do bëhem mjek, ngelën ata, të fikët mamit, thanë po ky ça pati. Në fillim thanë çne ky me muzikë as s’ka studiuar. Aty shkova në një shkollë mësova, fillova të bëja (muzikë) profesionale”-tha Claydee.
Ndonëse i rritur në shtetin fqinj, artisti flet mirë shqip, ndërsa thekson se nuk duhet të harrojmë nga vijmë.
“Dy vitet e fundit kam filluar të flas shqip, që kam filluar të vij dhe në Shqipëri, kam dhe disa shokë shqiptarë. Mundohem sepse është gjuha ime, është mirë të mos harrosh nga fillove. Nuk mund të kuptosh sa larg ke shkuar, nëse mohon vendin nga je”.