Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. Sipas raportit të siguruar nga KOHA, Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim mendor, të përkohshëm apo të përhershëm.
Ekspertët theksojnë se ai ka qenë plotësisht i vetëdijshëm dhe në gjendje të kuptonte veprimet e tij në momentin e krimit. Ai paraqitet si bashkëpunues, i qetë, me mendim të qartë dhe pa devijime në perceptim. Gjendja e tij mendore aktuale nuk përmban elementë që do ta pengonin të përballet me procesin gjyqësor.
Kjo ekspertizë rrëzon pretendimet e mbrojtjes, e cila kërkoi ekzaminimin duke sugjeruar paqëndrueshmëri mendore tek i akuzuari.
Naim Murseli po gjykohet për porositjen e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023 në Bërrnicë të Prishtinës, një krim që fillimisht u paraqit si grabitje. Sipas prokurorisë, Murseli kishte organizuar vrasjen me qëllim përfitimi nga sigurimi jetësor në Suedi, duke bashkëpunuar me nipin e tij, Kushtrim Kokalla, dhe me Granit Plavën, i cili ekzekutoi krimin për një pagesë prej 30 mijë eurosh.
Krimi ndodhi në sy të dy fëmijëve të mitur të çiftit, ndërsa Murseli më pas mori pjesë në ceremoninë mortore, duke u paraqitur si viktimë.