Sunday, October 6, 2024
spot_img

Disa nga vendet që duhet vizituar në Shqipëri

- Advertisement -..

Shqipëria është një tokë e mbushur plot surpriza dhe e aftë për të mahnitur edhe turistin më skeptik. E gjendur mes maleve dhe detit, Shqipëria është një vend ku mund të ngelesh pa mend nga kultura dhe nga panoramat e saj natyrore.

Peisazhe shumëngjyrëshe, liqene, male të larta, lumenj, lugina, dete. Kjo është panorama që ofron Shqipëria për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë. Bukuritë e rralla natyrore vinë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguar nga paraardhësit tanë. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e shqiptarëve, një vlerë kjo e njohur brez pas brezi.

Gryka e Valbonës

Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës.Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit. Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, si dhe zjarr për t’u ngrohur. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete. Lundrimi me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën.

Gjiri i Grames ne Dhërmi

Gjiri i Gramës

Gjiri i Gramës në Gadishulli i Karaburunit i njohur si Gjiri i Grammatas , ndodhet ne rreze te shpatit perëndimor, shumë të thiktë të tij në Orikumin e afërt. Gjiri i Grames ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në vështirësitë e motit. Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, në gurore të medha, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet. Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet, mbishkrimet shkëmbore kanë qenë të shumta në gjirin e Gramës, aty numërohen me shumë se 1500 mbishkrime.

Thethi

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol.

Kalaja e Rozafës

Shqipëria është e mbushur me histori, dhe Kalaja e Rozafës me rrënojat e saj është një tjetër vend interesant për të vizituar nëse ju pëlqen historia. Kalaja ndodhet pranë qytetit të Shkodrës dhe është një nga qytetet më të vjetra në të gjithë vendin. Ishte një kështjellë ilire deri sa romakët e zaptuan atë në vitin 167 pas Krishtit.

Liqeni i Pogradecit


Korani, mjelmat dhe lulet….e pastaj vargjet lasgushiane! Mjafton të përmendësh këto fjalë kyce dhe kuptohet se fjala është për një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë, liqeni I Ohrit, syri shpirti dhe jeta e Pogradecit. Liqeni i Ohrit është tepër i famshëm në Europë dhe Botë për nga vjetërsia, thellësia dhe specien e rrallë, peshkun koran që rritet në ujrat ngjyrë smeraldi.

Gadishulli i Karaburunit


Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë. Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty.

Apolonia, ‘’Qyteti i Diellit”


Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike. Apollonia është një nga qëndrat më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë. Më parë në këtë zonë ishte një vendbanim Ilir, me ardhjen e kolonive qyteti mori emrin Apolloni për nder të të perëndisë Apollon. Pozicioni gjeografik i qytetit ka luajtur një rol të rëndësishëm, kështu Apollonia ishte ngritur jo shumë larg detit, komunikonte nëpërmjet lumit Vjosa (Aoos) në një zonë mjaft të pasur të Ilirisë së jugut të banuar nga fiset ilirë të Taulantëve

Plazhi i Ksamilit


Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian. Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.

Qyteti historik i Krujes


Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane. Kruja njihet ndryshe edhe si “qyteti i bardhë” dhe ka një lartësi gjeografike prej mbi 600 metrash mbi nivelin e detit dhe kur koha është e kthjellët e pa re prej maleve të këtij qyteti mund të shihet bregdeti Adriatik i Durrësit.

Shpella e piratëve


Shpella ujore ka një thellës prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Për eksploruesit e natyrës, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhet Shpella e Haxhi Alisë, detarit të njohur të Mesjetës së Vonë, i cili kishte ngritur në këtë shpellë portin për flotën e tij. Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.Sipas legjendës, Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj.

Porto Palermoja

I famshëm për kështjellën në formë ylli, e ndërtuar nga Ali Pasha në shekullin e 19-të. Porto Palermo është gjithashtu një destinacion popullor plazhi dhe një ndalesë interesante përgjatë Rivierës shqiptare.

Pika turistike e Dardhes


20 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi gjeografike impresionuese mbi 1300m, që vetvetiu e çon përfytyrimin te dimri i gjtë me borë, te pranverat e ndezura nga blerimi, te verat e puhizave që vijnë nga pyjet, te vjeshta me palete piktorike prej ylberi, ndodhet ky margaritar. Me kalimin e shekujve, banorët e Dardhës ndërtuan një fshat që në fillim të shekullit të 20 kishte mbi 400 shtëpi. Shtëpitë prej guri me çati me rasa janë tipari dallues i fshatit. Dhe shtëpitë shpesh janë vila dykatëshe të ndërtuara më së miri me kopshte të mrekullueshme të mbushura me lule. Tradita e ndërtimit me gur është respektuar në maksimum në këtë fshat. Dardha ofron mundësi për ecje në mal, ndonëse aktualisht njihet veçanërisht për turizmin malor dimëror. Është një nga të paktat vende në Shqipëri ku kanë mbetur pyje të larta.

Kalaja e Petrelës


Kjo kala ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV. Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Sot në ambientet e saj ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

Berati


Njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe është shpallur një qytet muze. Ndodhet në shpatin e malit të Tomorrit ku ngrihet kalaja. Brenda mureve të kalasë ndodhen shtëpitë e banimit dhe “Muzeu i Onufrit”. Pikturat dhe ikonat e piktorit të madh shqiptar janë të ekspozuara atje. Pjesa e vjetër e qytetit ka disa ndërtesa fetare si kisha dhe xhamia. Qyteti i Beratit përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit, kjo për faktin se Berati promovon turizmin kulturor. Berati vërtet nuk është qytet bregdetar, por ka një numër të madh monumentesh kulturore që janë pjesë e Trashëgiminë Kulturore Botërore. Ai është një qytet 2400-vjeçar si dhe është anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO). Këto dhe pamja piktoreske e bëjnë Beratin një qytet me histori, vlera dhe kulturë të pas

Syri i Kaltër, Sarandë


Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Butrinti

Një tjetër vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri. Butrinti është lehtësisht i arritshëm me autobus nga Saranda ose Ksamili, dhe ajo që është edhe më interesante është se Butrinti u kolonizua nga vetë Julius Cezari, i cili e pa këtë si një vend të rëndësishëm strategjik. Vizitorët sot mund të ecin nëpër vendin historik dhe të admirojnë rrënojat e vjetra, si dhe amfiteatrin.

Gjirokastra

Ky qytet historik duhet patjetër të jetë në listën tuaj të vendeve të vizituara në Shqipëri. Gjirokastra është fantastike dhe është bërë e njohur për shtëpitë e saj të vjetra që janë ruajtur shumë mirë.

Është shpallur vend i Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s në 2005. Gjirokastra ndodhet vetëm një orë me makinë nga Saranda, gjë që e bën atë një udhëtim ditor interesant në pushimet tuaja.

Sidoqoftë, nëse keni pak ditë për të kursyer, unë sugjeroj që të qëndroni gjatë natës në Gjirokastër dhe të shijoni atmosferën historike.


Kanionet e Osumit, Skrapar

Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai gjendet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi, duke u “mburrur” me krijesën e vetë. Janë pikërisht ujërat e tij, që me forcën e tyre gërryerrëse dhe tretëse, kanë depërtuar ashtu ngadalë, por pa ndërprerje, në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse.


Parku Kombetar i Llogarasë

Parku Llogorasë gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapsinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve. Pisha Flamur, Llogora gjendet në parkun Kombëtar të Llogarasë, pak më në veri të qafës me të njejtin emër, 910 m mbi nivelin e detit. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë. Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat -Llogora deri pra se të dalësh në qafën e Llogorasë, në të djathtë të rrugës, pasi keni kaluar fshatin turistik).

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

Për të mos u humbur

PO KERKONI APARTAMENT ME QERA DITORE?

X