Dy tërmete të fuqishme, njëri me magnitudë 7.4 dhe tjetri 6.7 të shkallës Rihter, kanë tronditur rajonin e Paqësorit pranë brigjeve të Gadishullit Kamchatka në Rusi, duke shkaktuar frikë për cunami dhe lëshimin e alarmeve emergjente.
Sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunami në Paqësor, territori më i rrezikuar mbetet Kamchatka, ku qyteti Petropavlovsk-Kamchatsky — me rreth 180 mijë banorë — ndodhet më pranë epiqendrës dhe konsiderohet në zonën kritike të ndikimit.
Tërmeti më i fortë u regjistrua rreth 143 kilometra në lindje të këtij qyteti, ndërsa tërmeti i dytë pasoi vetëm pak minuta më vonë në një zonë të ngjashme, duke rritur pasigurinë për banorët lokalë dhe vendet përreth.
Fillimisht, paralajmërime për cunami u lëshuan edhe për Hawaii, Guamin dhe Samoan Amerikane, por më pas janë tërhequr pasi llogaritjet treguan një rrezik më të ulët se sa mendohej.
Megjithatë, Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS) paralajmëroi se brenda një rrezeje prej 300 kilometrash nga epiqendra, valët e rrezikshme të cunamit mbeten të mundshme.