Një ngjarje tragjike është regjistruar në qytetin e Volosit, në Greqinë qendrore, ku një grua shqiptare ka humbur jetën si pasojë e dhunës brenda familjes.
Sipas autoriteteve greke, ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes çiftit, të cilët ishin emigrantë shqiptarë dhe prindër të katër fëmijëve të mitur. Burimet hetimore bëjnë me dije se 40-vjeçari goditi për vdekje me thikë bashkëshorten e tij, në prani të fëmijëve, dhe më pas u largua në këmbë nga banesa.
Një detaj tronditës ka dalë nga dëshmia e njërit prej fëmijëve të çiftit, që ndodhej në vendngjarje. Ai ka thënë për autoritetet:
“E pashë babin duke e therur mamin me thikë.”
Policia ndërhyri menjëherë në apartamentin ku ndodhi ngjarja, duke nxjerrë fëmijët nga banesa dhe duke nisur një operacion kërkimi për autorin, i cili ndodhet në arrati.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat greke, burri dyshohet të ketë qenë përdorues droge, dhe më herët kishte tentuar vetëvrasje në qershor të këtij viti. Megjithatë, nuk rezulton të ketë pasur denoncime për dhunë në familje më parë.
Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin shqiptar në Volos dhe ka rikthyer edhe një herë vëmendjen tek fenomeni i dhunës në familje, i cili, fatkeqësisht, edhe këtë herë i mori jetën një gruaje dhe la jetimë katër fëmijë të mitur.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.