Flori Mumajesi dhe çifti Arbana Osmani-Eduart Grishaj po vijnë me një projekt. Sigurisht nuk bëhet fjalë për një bashkëpunim muzikor, por për diçka që ka lidhje me këngën, ‘Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar’.
Prej vitesh tashmë Festivali është drejtuar nga njerëz të ndryshëm të medias. Dy vite më parë nga Vera Grabocka me Alketa Vejsiun, vitin e kaluar ngaArdit Gjebrea e këtë vit nga treshja e sipërpërmendur. Prej ditësh në media ëshë raportuar se këtë vit, “Festivali i Këngës” do të vijë në moderimin e Arbanës dhe regjinë e Eduartit, teksa kantautori Flori Mumajesi, do të vijë në rolin e drejtorit artistik të festivalit.
Flori nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Festivalit si këngëtar apo producent, e vetmja pjesëmarrje e tij ka qenë me Manjola Nallbanin kur Flori ka qenë pjesë e “The Dreams”.
Vlen të theksohet se nga vetë tre protagonistët nuk ka patur asnjë reagim. Arbana më herët ka zbuluar se i është propozuar dy herë për të prezantuar ‘Festivalin e RTSH’, në vitet 2014 dhe 2018, por nuk ka pranuar për arsye të ndryshme, ndërsa nuk ka përjashtuar që nuk gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen.
“Ma kanë ofruar dy herë (2014 dhe 2018) dhe për arsye të ndryshme nga njëra-tjetra nuk kam pranuar. Nuk di të them se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, por në të dyja rastet e mëparshme e kam vlerësuar, edhe pse nuk kam mundur të jem në atë rol”, tregoi moderatorja në 2020.