Jo vetëm nga flakët, por edhe nga municionet që kanë nisur që të plasin. Modestë për gjestin që po kryenin nuk kanë dashur as që të japin asnjë koment për mediat dhe gazetarin.
VLORË– Dy turistë turq kanë prekur me gjestin e tyre, pasi kanë zbritur nga jahti ku po pushonin, për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në ishullin e Sazanit. Siç duket edhe nga pamjet që janë filmuar nga “Syri.Tv”, dy turistët kanë zbritur bashkë me gazetarët dhe me bidona në duar kanë shuar flakën në një pemë që sapo kishte marrë flakë, duke marrë përsipër edhe rrezikun që i kanoset. Jo vetëm nga flakët, por edhe nga municionet që kanë nisur që të plasin. Modestë për gjestin që po kryenin nuk kanë dashur as që të japin asnjë koment për mediat dhe gazetarin.
Ishulli i Sazanit është përfshirë nga flakët mesditën e kaluar. Zjarri vijon të jetë aktiv prej thuajse 24 orësh dhe deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje nga ajri. Kjo pasi dy helikopterët që Shqipëria ka në dispozicion për raste të tilla janë në servis që nga muaji shkurt. Në Sazan janë shënuar edhe shpërthime të municioneve.