Gjykata Themelore e Prishtinës do të kërkojë nga Policia e Kosovës që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, të sillen me shoqërim në seancën e radhës në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.
Një vendim i tillë, është marrë gjatë ditës së sotme nga kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi.
Për seancën e radhës gjykatësi Kuçi deklaroi se për dëshmitaret Ismaili nga Policia e Kosovës do të kërkohet sjellja e tyre me shoqërim, ndërsa për mosrealizimin e urdhëresave të hershme ai tha do të njoftohet komandanti i stacionit policor Jugu në Prishtinë.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, ka ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.