Tuesday, May 13, 2025
spot_img

Gjyqi ndaj Diddy-t zbardh errësirën pas famës

- Advertisement -..

Gjyqi i reperit dhe producentit të njohur amerikan, Sean Diddy Combs, ka hyrë në një fazë të re tensioni, ndërsa ai përballet me një sërë akuzash të rënda që përfshijnë trafikim të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, shantazh dhe përfshirje në veprimtari që lidhen me prostitucionin.

Seancat po zhvillohen në gjykatën federale të Manhattanit, ku mbrojtja drejtohet nga avokati Marc Agnifilo, i njohur për eksperiencën e tij me raste të profilit të lartë. Në krah të tij është edhe avokati Teny Geraos. Ndërkohë, prokuroria është përfaqësuar nga një ekip me tetë anëtarë, mes tyre edhe Maureen Ryan Comey, një emër i njohur në Distriktin Jugor të New York-ut.

Në deklaratën hapëse, prokurorja Emily Johnson e përshkroi sjelljen e Combs si kriminale dhe theksoi se ai “kishte pushtetin të shkatërronte jetët e viktimave të tij.” Sipas saj, Combs nuk hezitoi të përdorte dhunë ndaj grave që nuk pranonin të merrnin pjesë në festat famëkeqe apo që guxonin ta kundërshtonin.

“Të mbijeturat do të flasin. Do të tregojnë se si përjetuan dhunë fizike, poshtërim dhe frikë të vazhdueshme. Si kaluan ditë të tëra të droguara në dhoma hoteli, duke u detyruar të vishnin kostume për të përmbushur fantazitë seksuale të Combs,” tha Johnson para trupit gjykues.

Combs u arrestua në shtator të vitit 2024, ndërsa vetëm pak muaj më parë, në mars të këtij viti, u kryen bastisje në rezidencat e tij në Miami dhe Los Angeles. Në aktakuzën e përditësuar, janë përfshirë tre gra të tjera që pretendojnë se janë trafikuar nga ai, ndërsa gjithashtu përmenden edhe pretendime për punë të detyruar në kushte çnjerëzore ndaj stafit të tij.

Çështja pritet të zgjasë disa javë dhe mund të rezultojë në një nga gjyqet më tronditëse të botës së showbiz-it amerikan.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

Për të mos u humbur

PO KERKONI APARTAMENT ME QERA DITORE?

X