Avokati i Britney Spears, Mathew Rosengart, është duke i dalë në mbrojtje klientes së tij, pasi ish-bashkëshorti i saj Kevin Federline u përpoq të përçmonte karakterin e saj duke zbuluar video ku ajo dyshohet se po debatonte me djemtë e saj adoleshentë.
“Britney Spears është një ikonë e talentuar, jashtëzakonisht punëtore, e cila me të drejtë është e dashur dhe e respektuar nga miliona në mbarë botën”, tha ish-prokurori për Page Six.
“E njëjta gjë, për fat të keq, nuk mund të thuhet për zotin Federline, i cili për arsye të pashpjegueshme vendosi të japë një intervistë falas që ka lënduar nënën e fëmijëve të tij”- u shpreh më tej ai.
Rosengart shton se këngëtarja e “Oops! I Did It Again”, ka “mbështetur me besnikëri” djemtë e saj Sean Preston dhe Jayden James dhe “i do shumë ata”.
“Pavarësisht nëse e kupton apo jo, zoti Federline jo vetëm që ka shkelur privatësinë dhe dinjitetin e nënës së fëmijëve të tij, por ka minuar edhe fëmijët e tij, privatësinë e të cilëve ai duhet të mbrojë,” tha avokati duke shtuar: “Duke lënë mënjanë intervistën e tij në ITV, vendimi i neveritshëm dhe i keq i zotit Federline për të postuar një video të vjetër të fëmijëve të tij 11 dhe 12 vjeç ishte mizor, në fund të fundit”
Rosengart pohon gjithashtu në deklaratën e tij për Page Six se Federline mund të ketë shkelur ligjin duke postuar video në të cilat Spears nuk e dinte se ajo ishte duke u regjistruar.
“Përveç nënçmimit të vetvetes dhe shkeljes së normave shoqërore, ai tani ka krijuar edhe çështje të ndryshme ligjore për veten e tij, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, implikimin e statuteve të ngacmimit kibernetik ndër të tjera”, thotë avokati me bazë në LA.
“Ndërkohë, siç tha edhe vetë Britney, çdo gjë që po ndodh mes saj dhe djemve të saj duhet të mbetet private,” përfundon ai. “Ne i bëjmë thirrje zotit Federline që të veprojë mirësjelljeje dhe të pushojë së diskutuari publikisht për çështje private, nga të cilat nuk përfiton askush.”
Më herët, Federline fshiu tre videot nga Instagrami i tij.
Vetëm disa orë më parë, Federline, i cili ishte i martuar me Spears nga viti 2004 deri në 2007, ndau videot në platformën e tij me mbishkrimin: “Nuk mund të rri duarkryq dhe t’i lë djemtë e mi të akuzohen në këtë mënyrë pas asaj që kanë kaluar. Sado që na dhemb, vendosëm si familje t’i postojmë këto video. Kjo nuk është as më e keqja. Gënjeshtrat duhet të ndalen. Shpresoj që fëmijët tanë të rriten për të qenë më të mirë se kaq.”