Misa Hylton, ish-partnerja e Sean “Diddy” Combs në fillim të viteve ’90 dhe nëna e djalit të tyre Justin, ka reaguar publikisht për herë të parë pas paraqitjes së saj në gjyqin penal të reperit në Nju Jork.
“Po, jam mirë të dashur, jam në udhëtimin tim të shërimit,” shkruan ajo në një postim të gjatë në rrjete sociale, duke shpjeguar se kishte përdorur një pajisje ndihmëse për ecje në gjykatë për shkak të një dëmtimi të fundit në këmbë.
“Kur u dëmtova, zgjodha të shërohesha privatisht,” – vijoi stilistja e njohur, – “por kur djali im më tha ‘Mami, kam nevojë për ty’, unë isha aty për të, me gjithë mjetin e ecjes.”
Djali i saj Justin ka dalë më parë në mbrojtje të babait të tij, mes akuzave të rënda për trafik seksual që rëndojnë mbi Diddy-n. Por për Hylton, fokusi është i qartë: “Jam një NËNË PARA SË GJITHASH, PËR SË VËRTETI. Dhe unë jam forca e djalit tim. Ka kaq shumë sa nuk ka nevojë për sqarim. Kush nuk e kupton këtë, thjesht nuk është në linjë me mua dhe as me atë që përfaqësoj në jetë. Dhe jam më se në rregull me këtë.”
Ajo gjithashtu u ndal edhe te përdorimi i pajisjes ndihmëse për ecje: “Për të gjithë ata që janë përkohësisht ose përhershëm të paaftë fizikisht – mos u ndjeni kurrë të turpëruar për gjendjen tuaj apo për përdorimin e mjeteve mjekësore që ju ndihmojnë në procesin e shërimit.”