Banorja e “Ferma VIP”, Nenna, ka rrëfyer një histori të dhimbshme dhe prekëse nga jeta e saj personale, ku përjetoi kontroll, izolim dhe dhunë emocionale në një lidhje që zgjati një vit e gjysmë.
Gjatë prime-t të fundit ajo tregoi se ish-partneri e kishte izoluar nga gjithçka.
“Ai donte të isha ajo që donte ai. Më hoqi shoqërinë, më ndaloi rrjetet sociale, më ndryshoi stilin. Unë e pranova për dashuri…”
Por përtej kontrollit psikologjik, situata mori një kthesë shqetësuese kur ajo zbuloi një kamerë të fshehtë në shtëpi.
“Po pastroja shtëpinë dhe pashë një pikë të vogël te poçi elektrik. Ishte kamerë. U trondita. Mu duk e pabesueshme që dikush që më donte, të më mbikëqyrte në këtë mënyrë”, tha ajo.
Nenna rrëfeu se situata degradoi deri në pikën ku ajo humbi gjumin, ra në paranojë, dhe pati shpërthime ankthi, aq sa humbi ndjenjat në vendin e punës. Ajo shtoi se ishte izoluar krejtësisht nga familja dhe miqtë, ndërsa i vetmi shpëtim i saj ishte të ikte në Gjermani, ku kishte disa miq të mbetur.
Por edhe pas ikjes, presioni nuk mbaroi: “Më lutej të kthehesha, premtonte që nuk do të përsëriste më sjelljet e tij. E besova, dhe u ktheva. Të nesërmen më tha që më kishte tradhtuar…,” u shpreh konkurrentja.
Kjo goditje rendë, e çoi Nennën në një depresion të thellë dhe përdorim të alkoolit, duke humbur besimin dhe te vetja.
“Nuk i besoja më as hijes sime,” përfundoi ajo, mes lotësh.