Një sekret me peshë i këngëtarit ikonik të grupit Queen, Freddie Mercury , po del në dritë me publikimin e një libri të ri që pritet të shkaktojë një “tërmet” në botën e muzikës dhe showbizit.
Sipas Daily Mail, në biografinë e këngëtarit të titulluar “Me dashuri, Freddie” nga Leslie-Ann Jones, zbulohet se Mercury kishte një vajzë, të cilën e mbante të fshehtë dhe e dinte vetëm rrethi i tij i ngushtë.
Një sekret i ruajtur mirë që pak veta e dinin
Ekzistenca e vajzës së Freddie Mercury ishte e njohur vetëm për rrethin e tij të ngushtë, prindërit e tij, motrën e tij, anëtarët e Queen dhe sigurisht Mary Austin, gruan që ai e quante dashurinë e jetës së tij. Vajza e tij u ngjiz në vitin 1976, pas një lidhjeje të shkurtër me gruan e një miku shumë të ngushtë të tij.
Siç raportohet nga mediat britanike, vajza e tij, e njohur vetëm me inicialin “B”, është aktualisht 48 vjeç, jeton në Evropë dhe është mjeke. . Libri bazohet në ditarët personalë që ia la autorit vetë Freddie Mercury pak para se të vdiste nga pneumonia e lidhur me AIDS-in në vitin 1991.
Vajza e tij nuk dëshiron publicitet
B foli ekskluzivisht me autoren, duke shpjeguar se është rritur me shumë dashuri, duke e ditur gjithmonë identitetin e babait të saj.
“Ai më adhuronte dhe ishte i përkushtuar ndaj meje. Rrethanat e lindjes sime mund të duken paradoksale, por ato kurrë nuk e ndikuan dashurinë e tij,” është shprehur ajo.
Libri përfshin gjithashtu një letër të shkruar me dorë nga B, e cila rrëfen lidhjen e tyre emocionale.
Baba i përkushtuar dhe marrëveshje e fshehtë
Lesley-Ann Jones tha se B iu afrua asaj tre vjet më parë, pa i kërkuar kurrë para apo publicitet. Ajo nuk përmendet në testamentin e Mercury, por pjesa e saj u sigurua nëpërmjet një zgjidhjeje ligjore private. Sipas autores, B u rrit me nënën dhe bashkëshortin e saj, ndërsa Freddie kishte dhomën e tij në shtëpinë e tyre dhe fliste me të bijën çdo ditë.
Freddie Mercury kishte marrëdhënie si me burra ashtu edhe me gra. Lidhja e tij më e famshme ishte me Mary Austin, me të cilën jetonte dhe ishte i fejuar, derisa këngëtari i zbuloi asaj se ishte homoseksual. Por ata mbetën të afërt deri në fund të jetës së tij. Në vitet që pasuan, ai pati edhe marrëdhënie me gra si aktorja Barbara Valentin, ndërsa marrëdhënia e tij e tretë dhe më e fshehtë ishte me nënën e fëmijës së tij.