Italia është tronditur nga vdekja e tmerrshme e 14-vjeçares Martina Carbonaro, e cila u zhduk të dielën në Afragola, pranë Napolit, dhe u gjet e pajetë pas dy ditësh kërkimi intensiv. Trupi i saj u zbulua i fshehur në një kasolle të braktisur pranë stadiumit “Moccia”, jo larg banesës së saj.
Hetimet çuan tek një 19-vjeçar, ish-i dashuri i vajzës, i cili mësohet të ketë rrëfyer krimin. Ai nuk e pranonte ndarjen dhe dyshohet se e ka goditur Martinën me një objekt të fortë dhe më pas e ka fshehur trupin në një dollap të vjetër brenda ndërtesës së braktisur. Vajza kishte dalë nga shtëpia me pretekstin se do të takohej me një shoqe, por nuk u kthye më. Nëna e saj njoftoi zhdukjen menjëherë, ndërsa telefoni i vajzës rezultonte i fikur.
I riu mori pjesë edhe në kërkimet për Martinën, për të krijuar alibinë e tij, por hetuesit arritën ta zbulojnë të vërtetën falë kamerave të sigurisë dhe mospërputhjeve në dëshmitë e tij.
Autoritetet po hetojnë rastin si një femicid – një vrasje që ndodh si pasojë e urrejtjes gjinore, shpesh nga partnerë që nuk pranojnë refuzimin apo kontrollin mbi vajzat dhe gratë.
Rasti i Martinës ka rikthyer debatin mbi sigurinë e të miturve në rrjetet sociale, dhunën në lidhjet e hershme dhe mungesën e ndërgjegjësimit për femicidin në moshat e reja.