Reperi i njohur shqiptar, Mc Kresha, emri i vërtetë i të cilit është Kreshnik Fazliu ka folur më në fund pas zërave se do largohet nga muzika dhe përkushtimit ndaj fesë.
Reperi nga Mitrovica pak ditë më parë ai është parë duke kënduar ilahi në një xhami, gjatë faljes së taravisë. Në një video të publikuar në rrjete sociale, reperi shihej duke interpretuar atë që në fenë myslimane quhet thirrjen e Ezanit para dhjetëra bashkëqytetarëve të tij në xhami.
Lidhur me këtë, artisti ka folur ditën e sotme në “Wake Up” duke theksuar se ishte një privilegj dhe emocion i madh për të. E po ashtu theksoi se kjo gjë është bërë edhe nga artistë të tjerë.
“Kisha pak turp por meqë një shoku i imi kërkoi ta thërrisja për mua ishte privilegj. Sepse kjo thirrje nuk i bëhet çdokujt. E kanë bërë edhe kolegë të tjerë dhe nuk është asgjë e keqe, përkundrazi. E bukura e Ramazanit është se ne agjerojmë që të bashkëndjejmë me ata që nuk kanë. Shoku që më thirri më tha që kisha emocione dhe kjo e bëri të veçantë.”– u shpreh Kresha.
Reperi nuk ka ndërmend të largohet nga muzika, ndryshe nga sa thuhet. Ai deklaroi se do jetë i angazhuar në koncerte dhe se punon për albumin e ri me Lyrical Son, që po përpiqen ta përfundojnë sa më parë.
“Gjithçka është bukur e mirë në jetën personale e profesionale. Sapo kemi nxjerrë albumin dhe kemi shumë angazhime që nuk po na lënë të finalizojmë albumin e dytë. Është mirë, njerëzit e pëlqejnë ata që bëjmë. Mundohemi mos të jemi ekstravagant. Pëlqejmë thjeshtësinë dhe duam të na dojë ne publiku jo lifestyle-in tonë.”– deklaroi Mc Kresha.
Artisti ka theksuar disa herë se është një mysliman i devotshëm dhe mjaft i përkushtuar ndaj riteve fetare, veçanërisht në Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Rreth dy vite më parë në rrjetet sociale ka qarkulluar një foto e tij me hoxhën Fatmir Latifaj, foto kjo që u bë shkak i zërave se artisti do lejë muzikën për shkak të fesë. Më herët vetë reperi ka pranuar se do e lërë muzikën, pasi ka vite që është pjesë e industrisë dhe me kalimin e kohës duhet t’ju lërë hapësirë talenteve të reja. Mc Kresha u shpreh në një intervistë se nuk i duket normale që ai të merret me hip-hop pasi të bëhet baba me shumë fëmijë.
“Muzika hip-hop duhet të dalë unë të këndoj ‘hajde zemër dridhe’ e djali im ta dëgjojë, ndërkohë që është 20 vjeç për shembull. Ideja është që nëse bëhem me familje, nuk do mundem të jem prindi i duhur për fëmijët e mi. Dhe për mua është shumë e rëndësishme. Është gjëja më e rëndësishme në botë të jem prind i duhur për fëmijët e mi. Çdo gjë ka ciklin e vet, publiku më ka rritur se unë kam qenë i mirë”, shpjegoi Mc Kresha.
Kresha është baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali që erdhi në jetë disa muaj më parë.