Një javë tepër e trazuar ka qenë kjo që lamë pas për Andy Byron, ish-CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, i cili u përfshi në një skandal publik pas një momenti intim në një koncert të Coldplay në stadiumin Gillette, në Masaçusets.
Gjatë transmetimit në ekranin gjigant të stadiumit, Byron u filmua nga e famshmja “kiss cam” duke shkëmbyer momente të afërsisë me Kristin Cabot, drejtoreshën e burimeve njerëzore të kompanisë së tij. Ajo që e bëri situatën më të ndjeshme ishte fakti se të dy janë të martuar me persona të tjerë.
Pamjet bënë xhiron e internetit dhe u bënë virale në mbarë botën, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Kompania “Astronomer” reagoi me një deklaratë zyrtare, ndërsa Byron dha dorëheqjen, përballë presionit mediatik dhe etik.
A mund të ndërmarrë Andy Byron veprime ligjore kundër Coldplay?
Në mes të zhurmës mediatike, u përfol se Byron po shqyrton mundësinë për të ndërmarrë veprime ligjore, madje edhe kundër grupit Coldplay, për shfaqjen e pamjeve.
Megjithatë, ekspertët ligjorë e hedhin poshtë çdo mundësi të tillë. Avokati Ron Zambrano, nga “West Coast Employment Lawyers” në Los Anxhelos, u shpreh prerazi:
“Çdo pretendim ligjor i Byron do të hidhej menjëherë poshtë. Nuk ka asnjë bazë për një padi.” Zambrano argumenton se kjo do të konsiderohej si cenim i lirisë artistike dhe krijuese së grupit gjatë performancës së tyre. Ai shton se Byron dhe Cabot nuk kishin asnjë të drejtë për privatësi, pasi ndodheshin në një event publik dhe veprimet e tyre ishin të vetëdijshme.
Në të njëjtën linjë është edhe avokati Tre Lovell nga firma ligjore “Lovell Firm”:
“Në një hapësirë publike nuk mund të pretendosh privatësi. Çdokush ka të drejtë të të fotografojë apo të të filmojë.”