Një murgeshë 81-vjeçare, shoqe e ngushtë e Papa Françeskut për më shumë se katër dekada, emocionoi publikun me praninë e saj në Bazilikën e Shën Pjetrit, kur u lejua të anashkalonte protokollin dhe t’i afrohej arkivolit të Papës.
Murgesha franceze, Genevieve Zaningros, mbërriti në vendin e ceremonisë për t’u lutur, e shoqëruar nga një zyrtar i Vatikanit.
Sipas Daily Mail, miqësia e saj me Papa Françeskun filloi kur ai ishte ende kryepeshkop i Buenos Aires, me emrin Jorge Mario Bergoglio. Përkushtimi i tyre i përbashkët ndaj të përjashtuarve nga shoqëria i bashkoi ata. Murgesha i kushtoi më shumë se 56 vjet mbështetjes së grave të margjinalizuara, kryesisht transgjinore, në Ostia, Romë.
Në videon që doli në dritë, murgesha duket se po i afrohet zonës së ndaluar përpara arkivolit, e shoqëruar nga një zyrtar i Vatikanit. Pavarësisht anashkalimit të protokollit të rreptë – pasi vetëm kardinalët, peshkopët dhe priftërinjtë lejohen të afrohen në këtë zonë të veçantë – askush nuk ndërhyri.
Përkundrazi, ajo u lejua t’i thotë lamtumirë me qetësi.
E veshur me një shami blu, murgesha, të cilën Papa e quajti “L’enfant terrible” (fëmija i tmerrshëm), qëndroi në heshtje pranë arkivolit dhe shpërtheu në lot, duke mbetur pa lëvizur për një moment.
Në korrik, Papa e kishte vizituar personalisht murgeshën në Ostia, për të nderuar publikisht punën e saj humanitare. Takimi u zhvillua në një qendër ekspozite, ku Papa shprehu respektin e tij për gruan që i kushtoi jetën e saj mbrojtjes së të dobëtëve.